Menaxheri shtyn Locatellin drejt Juves

Futboll

Menaxheri shtyn Locatellin drejt Juves

Më: 10 janar 2021 Në ora: 17:04
Menaxheri shtyn Locatellin drejt Juves

Manuel Locateli është një nga mesfushorët italianë që po spikat më së shumti si me skuadrën e Sassuolos, ashtu edhe me përfaqësuesen italiane, ku është grumbulluar rregullisht nga trajneri Roberto Mancini dhe ka luajtur edhe si titullar.

Në verë futbollisti u kërkua me ngulm nga Juventusi, por më pas bardhezinjtë shpenzuan për transferimin e Federico Chiesës dhe nuk arritën të përmbushin edhe kërkesat e Sassuolos, megjithatë menaxheri i Locatellit është i bindur që rrugët mund të bashkohen sërish këtë verë.

“Verën e kaluar Juventusi pati një interesim konkret për Locatellin, por në fund klubet nuk gjetën gjuhën e përbashkët. Në merkato mund të ndodhë gjithçka dhe nuk do të habitesha, nëse Locatelli do të transferohej te Juve këtë verë, pasi diskutimet me bardhezinjtë janë të hapura prej kohësh”, u shpreh Stefano Castelnovo.

Manuel Locatelli u rrit në akademinë e Milanit dhe debutoi me kuqezinjtë në moshën 18-vjeçare, por në verën e 2019-ës u shit te Sassuolo. Dy ditë më parë mesfushori festoi 23-vjetorin e lindjes, ndërsa menaxheri i tij hodhi poshtë mundësinë e një rikthimi te Milani.

“Manuel i është mirënjohës Milanit, pasi u rrit në atë klub dhe debutoi si profesionist, por planet e tij janë të tjera. Kërkon një klub që luan në Champions dhe garon për objektiva madhorë, qoftë ky në Itali apo jashtë saj. Me Sassuolon marrëdhëniet janë të shkëlqyera dhe kemi kontratë deri në verën e 2023-shit, por besoj se këtë verë do të arrihet marrëveshja për transferimin”, tha menaxheri i mesfushorit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat