Prandelli pret dy emra të mëdhenj

Futboll

Prandelli pret dy emra të mëdhenj

Më: 17 janar 2021 Në ora: 13:16
Prandelli pret dy emra të mëdhenj

Fiorentina e ka nisur merkaton e janarit duke larguar futbollistët që nuk bëjnë pjesë në planet e trajnerit Cesare Prandelli, teksa fillimisht huazuan te Marseille anësorin spanjoll Pol Lirola, ndërsa së fundi kanë huazuar te Cagliari mesfushorin Alfred Duncan.

Ky i fundit ka marrë shumë pak minuta në klubin vjollcë dhe tani do të vihet nën urdhrat e trajnerit Eusebi Di Francesco, i cili ka shumë nevojë për një futbollist që të luajë para mbrojtjes, pasi ka humbur për një kohë të gjatë edhe kroatin Rog.

Emri i radhës që mund të largohet nga Fiorentina, është mesfushori kilen Erick Pulgar, i cili gjithashtu nuk preferohet nga Prandelli dhe po kërkohet me ngulm nga Sassuolo, që ka mbetur vetëm me Locatellin përpara mbrojtjes.

Ndërkohë sa i përket merkatos në hyrje, klubi vjollcë po punon për të afruar 2-3 futbollistë me eksperiencë, me qëllim që Prandelli të mund të aplikojë edhe skemën e tij të preferuar, 4-3-3.

Kështu menaxheri i Fiorentinës, Giancarlo Antognoni pranoi se po negociohet me disa futbollistë, mes të cilëve edhe emra si Alexandre Pato e Papu Gomez, por theksoi se vetëm në ditët e ardhshme priten marrëveshje konkrete.

“Deri tani kemi punuar me merkaton në dalje, pasi u dhamë mundësi të luajnë rregullisht lojtarëve që nuk bënin pjesë në planet tona. Tani do të punojmë për të përforcuar ekipin, pasi kemi nevojë për eksperiencë, sidomos në repartin e avancuar. Pato dhe Papu? Kemi pasur kontakte edhe me menaxherët e tyre, por nuk mund të shtoj asgjë më shumë në këto momente”, tha Antognoni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat