Daja: Në Ballsh duhet shpirt dhe sakrificë

Futboll

Daja: Në Ballsh duhet shpirt dhe sakrificë

Më: 5 shkurt 2021 Në ora: 15:15
Daja: Në Ballsh duhet shpirt dhe sakrificë

Ilir Daja parashikon në një transfertë të vështirë në Ballsh, ndaj Bylisit, edhe prej kushteve atmosferike. Trajneri i të kuqve theksoi se do të jenë vendimtarë shpirti dhe sakrifica.

I kënaqur me afrimet: “Ne të gjithë e dimë që merkatoja e janarit nuk është se ofron shumë mundësi për t’u plotësuar aty ku ne kishim nevojë. E kemi shtuar rivalitetin në mesfushë dhe në sulm, jemi munduar që të fokusohemi në mbrojtje, por nuk kemi rënë dakord bashkë më stafin dhe drejtorin e përgjithshëm për afrimet. Kemi marrë lojtarë, por ndoshta do të ishim më të plotësuar dhe pak më të qetë nëse do të kishim dubluar ato pozicione që ne edhe me mbylljen e merkatos nuk është se i kemi të dubluara.”

Ndeshja me Bylisin: “Çdo përballje në këto momente, në këto kushte atmosferike, është e vështirë. Ju e patë që edhe terreni i Elbasanit u rëndua në ndeshjen e fundit. Na pret një terren jo i përshtatshëm në Ballsh, edhe pse koha është përmirësuar, që do të thotë se do të na duhet të përshtatemi edhe me terrenin, sepse duhet të ndryshojmë manovrën. Kemi një kundërshtar që edhe ai ka ndryshuar në merkato, ka larguar dhe afruar lojtarë. Do të na duhet t’i studiojmë edhe gjatë lojës lojtarët që ata kanë afruar. Elementi kryesor do të jetë shpirti dhe sakrifica e gjithë ekipit për të shkuar drejt rezultatit pozitiv.”

E ardhmja e Brojës: Përderisa është mbyllur merkatoja, ne të gjithë kontigjentin e kemi në dispozicion, vetëm nëse për çdo lojtar, jo vetëm për Brojën, do të vinte një ofertë jashtë vendit që do të plotësonte kushtet e klubit.

Fitoret e munguara në Ballsh: Sigurisht kjo është një statistikë ashtu sikurse edhe Bylisi ka disa ndeshje pa arritur fitoren, fakt që e vështirëson akoma më shumë marrjen e tri pikëve në Ballsh. Statistikat janë për t’u interpretuar, çdo ndeshje ka specifikën e vet, ne kemi ndryshuar, Bylis ka ndryshuar, kështu që shpresoj që kjo statistikë të mos jetë edhe në ndeshjen e nesërme.

Aktivizimi i Ferhan Hasanit: “Për Hasanin nuk e dimë nëse do të jetë pjesë e formacionit për këtë ndeshje. Ai do të jetë i gatshëm dhe nëse do të na duhet, do ta hedhim në fushën e lojës.”

Asani dhe Bitri: “Kam diskutuar me ekipin, do t’u tërhiqja vëmendjen të gjithë lojtarëve, pavarësisht se ne kemi edhe një rregullore të brendshme të klubit. Ne, si staf, nuk duam të shkojmë drejt gjobave për shkak të kartonëve disiplinorë. Ne duhet që këtë kontigjent që kemi, me goxha cilësi, ta kemi të gatshëm në ndeshje dhe të minimizojmë kartonët disiplinorë. Janë dy forca që, nëse do t’i kishim në ndeshjen e nesërme, do të kishim akoma më shumë potencial për të shkuar drejt atij objektivi që kemi në Ballsh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat