Ibraimi lider te Kukësi

Futboll

Ibraimi lider te Kukësi

Më: 17 shkurt 2021 Në ora: 19:14
Ibraimi lider te Kukësi

Më 1 tetor Kukësi zyrtarizoi nënshkrimin me një “top player”, Agim Ibraimin. Një karrierë e jashtëzakonshme e nisur tek Shkëndija, më pas Red Bull Salzburg, Olimpia Lubjanë, Eksisehirspor, Maribor dhe kulmi ka arritur në Serinë A me Cagliarin në sezonin 2013-14, rikthimi tek Maribori, përformancat e shkallës së lartë në Champions League, më pas me Astanën në Europa League, Domzale, rikthimi tek Shkëndija ku u shpall edhe kampion në 2019-tën dhe këtë sezon aventura e parë në Superiore.

Tifozët prisnin që Ibraimi i vetëm ta shpallte Kukësin kampion, vështirë të ndodhë me çdo futbollist, të paktë janë ata që të vetëm fitojnë titujt, por tetovari të cilit drejtuesit i besuan edhe shiritin e kapiteni pak javë pas fillimit të kampionatit, ka bërë atë që duhej të bënte, të ishte një lider për këtë skuadër.

Rezultatet nuk kanë ardhur gjithmonë, megjithatë personalisht Agim Ibraimi ka barazuar rekordin personal të golave të realizuar në një sezon në kampionat, plot 10 të tillë. E ka bërë vetëm një herë në karrierë në edicionin 2015-2016 me Mariborin, në atë rast në ndryshim nga ky sezon nuk shënoi asnjë me penallti, ndërsa në këtë edicion 5 herë e ka gjetur rrjetën nga pika e bardhë, një element që gjithashtu kërkon saktësi, teknikë, gjakftohtësi.

Për momentin 32 vjecari është goeladori i kampionatit, teksa duke qenë se ka edhe 17 ndeshje deri në fund, gjasat janë të shumta që Agim Ibraimi ta thyejë rekordin personal të shënimit të golave në një sezon, teksa ka dhuruar edhe 3 asiste. Golat e shënuar kanë qenë 80% në pjesën e parë të ndeshjes, teksa vetëm në dy raste kur Ibraimi ka gjetur rrjetën, Kukësi nuk ka fituar, kundër Partizanit dhe Laçit.

Pavarësisht ndonjë kritike me apo pa të drejtë, shifrat thonë se sezoni i Agim Ibraimit deri më tani ka qenë për notën 10, siç ka dhe numrin mbi shpinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat