Kaos në Munih

Futboll

Kaos në Munih

Më: 19 shkurt 2021 Në ora: 11:19
Kaos në Munih

Vazhdojnë problemet për skuadrën e Bajernit të Mynihut. Viti i ri nuk ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për kampionët e botës të cilët ditë pas dite po humbasin lojtarë të rëndësishëm për shkak të COVID-it, por edhe dëmtimeve të cilat janë të shumta në skuadrën gjermane.

Trajneri Hansi Flik është shqetësuar jo pak pasi për pak ditë ai do të luajë transfertën për kampionat në Frankfurt dhe më pas atë të Romës ndaj Lacios për Champions. Dy sfida nga të cilat varet shumë ecuria e skuadrës. Ndërkohë, Benzhamë Pavar është infektuar i fundit me COVID pas Tomas Mylerit, Leon Goreckës dhe Havi Martinezit.

Dy të fundit duket se kanë rezultuar negativë në testet e fundit dhe pritet t’i bashkohen skuadrës. Ndërkohë që, Myler nuk do të jetë ndaj Lacios edhe nëse rezulton negativ një ditë para ndeshjes nuk do të lejohet të luajë sipas rregullores së UEFA-s, e cila për shumë klube është ende e paqartë në këtë drejtim.

Ndërkohë, lista e lojtarëve të dëmtuar vazhdon të jetë e gjatë. Duglas Kosta pësoi një frakturë në këmbën e djathtë dhe do të mungojë gjatë, Korentin Toliso gjithashtu u dëmtua ditën e mërkurë gjatë stërvitjes dhe pritet të kryhen ekzaminimet për të parë shkallën e dëmtimit. Portieri i dytë, Aleksandër Nybel, dhe mbrojtësi francez, Kouasi Nianzu, mungojnë prej disa javësh dhe rikthimi i tyre në skuadër ende nuk dihet.

Serge Gnabri ka nisur të vrapojë, por gjermani është në dyshim për dy sfidat e ardhshme pas dëmtimit të pësuar në finalen e Kupës së Botës në Katar. Alternativat për Hansi Flikun janë të pakta, teksa do të duhet t’u besojë Mark Rokës dhe Jamal Musialës për ndeshjet e ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat