Ndreu: Laçi fitoi me meritë

Futboll

Ndreu: Laçi fitoi me meritë

Më: 20 shkurt 2021 Në ora: 16:01
Ndreu: Laçi fitoi me meritë

Kastrioti pëson humbjen e dytë radhazi, këtë herë në transfertën ndaj Laçit, ndërsa trajneri i krutanëve, Ramadan Ndreu pranoi se kurbinasit ishin dukshëm më të fortë dhe se nuk mund të bënin më shumë.

Sa iu zhgënjyer jeni me paraqitjen e skuadrës tuaj?
Kishim përballë një skuadër me pretendime të mëdha. Luanim përballë Laçit që ka objektiv titullin kampion. E nisëm lojën shumë keq, ishte një pjesë e parë e dobët. Te goli i Laçit ishim të përgjumur. Në pjesën e dytë u shfaqëm ndryshe, me pak kujdes mund të merrnim diçka më shumë. Laçi ishte më mirë se ne dhe e meritoi fitoren.

Përfundimisht kjo skuadër nuk mund të shkojë përtej mbijetesës?
Të kesh një skuadër për Europë, duhet të kesh një skuadër me eksperiencë dhe që luan prej vitesh aty. Objektivi ynë dihet, por të jem realisht nuk mund të jemi më lart se vendi ku ndodhemi.

Mos ndoshta skuadra është rehatuar para kohe?
Po ta analizosh ndeshjet. Me Partizanin bëmë një pjesë të parë të mirë një pjesë të dytë shumë të keqe. Njësoj edhe sot, në pjesën e parë dobët, në të dytën ishim ndryshe. Lojtarët mendojnë se i kanë pikët, por harrojnë se futbolli është i tillë dhe skuadrat që janë poshtë mund të na afrohen. Nga ndeshja e ardhshme, 3-4 lojtarë do ulen në stol. Në çdo ndeshje luajmë për të marrë pikë. Është shumë e rëndësishme, që të bëjmë lojë të mirë dhe të tregojmë nivel.

Lojtarët e pjesës së parë, 4-5 lojtarë harruan që janë në fushë. Është ndeshja më e dobët e kampionatit, për pjesën e parë flas. Në stol po prisnim nga momenti në moment të pësonim gol. Duhet ta heqin lojtarët nga mendja që i kanë siguruar pikët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat