Agim Ademi me fjalë emocionuese 

Futboll

Agim Ademi me fjalë emocionuese 

Nga: K.G. Më: 2 mars 2021 Në ora: 16:56
Agim Ademi dhe Berat Rexha

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, me fjalë emocionuese për Berat Rexhën, i cili sot ka ndërruar jetë në orët e mëngjesit.

Ademi është i pikëlluar që tifozët “Dardanët” dhe Kosova e humbën e një tifoz të zjarrtë, që ishte shembull dhe që bënte tifo nga Skocia për Kombëtaren tonë.

“Asnjëherë nuk është e lehtë të gjesh fjalë e të shkruash kur e humb një person me të cilin të lidhin kujtimet e bukura.

Por, e ndjej obligim që sot nëpërmjet këtyre rreshtave t’ia jap lamtumirën e fundit njeriut që u bë miku im i ngushtë nëpërmjet futbollit - tifozit energjik të Kombëtares, Berat Rexha. 

Beratin e njoha qysh kur ishte fëmijë, por rrethanat e kohës bën që i ai si shumë të rinj të tjerë ta marrë rrugën e mërgimit. Futbolli na ribashkoi pas shumë vitesh, kur ai dashurinë e tij për atdheun vendosi ta shfaqë duke u bërë pjesë e grupit të tifozëve “Dardanët”. 

Ai dha kontribut të çmueshëm në organizimin e tifozerisë sonë në shtetet evropiane, e veçmas në Skoci, aty ku jetonte e vepronte tash e sa vjet. 

Berati ishte kudo ku luante Kosova. Nuk kishte rëndësi koha, largësia apo çkado tjetër – ai patjetër ishte afër Kombëtares dhe kudo jehonte zëri i tij kumbues bashkë me shokët me këngën “Besa-Besë”.

Gjatë kohës së pandemisë shpesh me kontaktonte me shpresë se shumë shpejtë do të krijoheshin rrethanat që tifozët të ktheheshin në stadiume dhe ai së bashku me Dardanët e tjerë do ta mbështesnin sërish fuqishëm ekipin tonë Kombëtar.
E ndjente se mungesa e tyre në stadium ishte po thuajse e papërballueshme për lojtarët tanë, sepse ata ishin dhe mbetën frymëzimi i tyre kryesor.

Por, ja që jeta është e tillë dhe e mori atëherë kur më së shumti i duhej familjes por edhe Dardanëve.
Besnikëria, sinqeriteti, ndershmëria dhe guximi ishin virtytet e tij si personalitet dhe si të tillë do ta kujtoj përherë. 

I përjetshëm kujtimi për Ty, dardani ynë!”, ka shkruar Ademi në profilin e tij në facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat