Grima: I kënaqur me grumbullimin, rivaliteti është rritur

Futboll

Grima: I kënaqur me grumbullimin, rivaliteti është rritur

Më: 4 mars 2021 Në ora: 11:58
Grima: I kënaqur me grumbullimin, rivaliteti është rritur

Kombëtarja shqiptare e femrave ka zhvilluar javën e kaluar një grumbullim 7-ditor, në Ulqin të Malit të Zi. Trajneri i përfaqësueses kuqezi, Armir Grima, kishte në dispozicion 23 futbolliste, që aktivizohen në kampionatin shqiptar, ndërsa dy prej tyre luajnë në Kosovë dhe Slloveni.

Në një prononcim për Fshf.org tekniku Grima ka vlerësuar organizimin e këtij grumbullimi dhe nivelin e shfaqur nga vajzat kuqezi gjatë shtatë ditëve në Ulqin. Gjithashtu, trajneri kuqezi është i kënaqur për faktin se kështu ai po mban në vëzhgim të gjitha futbollistet, të cilat janë në xhiron e Kombëtares dhe që luajnë në kampionatin shqiptar.

“Së pari, dua të falënderoj Federatën Shqiptare të Futbollit për kushtet që na krijoi dhe organizimin e këtij grumbullimi. Ishte një grumbullim që kishte shumë vlera për Kombëtaren e femrave, pasi për një javë ne mundëm të testojmë dhe të shohim nga afër të gjitha futbollistet e thirrura. Madje, mund të them që ne duhet të shohim mundësitë që të organizojmë më shpesh grumbullime të tilla, sepse e ndihmojnë shumë Kombëtaren e femrave.

Sigurisht, duke bërë analizat e rastit mendoj se vajzat kanë nevojë për shumë përgatitje me klubet e tyre, për më shumë stërvitje që të jenë në maksimumin e tyre. Besoj se ia kemi arritur qëllimit gjatë asaj jave që zhvilluam stërvitje rregullisht, pasi tashmë kam një ide edhe më të qartë për gjendjen e skuadrës, por edhe për çdo futbolliste në veçanti”, – shprehet Grima.

Sakaq, trajneri i Kombëtares shprehet optimist për zhvillimin pozitiv që ka pësuar kampionati shqiptar, ndërsa pranon se ka evidentuar edhe elementë cilësorë në këtë grumbullim, që mund t’i vlejnë perspektivës.

“Staf i ynë teknik është në komunikim të vazhdueshëm me trajnerët e klubeve të vajzave dhe ne i inkurajojmë që të shtohet paksa ritmi i stërvitjes së përditshme. Ne kemi nevojë që ritmi i stërvitjes të jetë sa më i lartë nëpër klube për të pasur vajza sa më në formë me Kombëtaren.
Edhe niveli i kampionatit shqiptar të femrave mendoj se po përmirësohet vazhdimisht. Rivaliteti është edhe më i fortë nga sa ka qenë vitin e kaluar, kështu që kjo na jep shpresë edhe për Kombëtaren edhe për ekipet e tjera të moshave kuqezi.
Në këtë grumbullim munda të evidentoj disa elementë mjaft cilësorë, si për shembull Luana Zajmi, e cila erdhi nga Sllovenia dhe mendoj se ka shumë potencial për të ardhmen, por edhe disa vajza të tjera të reja”, – deklaroi Armir Grima.

Grumbullimi i Kombëtares se femrave u zhvillua në vendin fqinj nga datat 21 e deri më 28 shkurt.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat