Mesfushori francez i Romës, Jordan Veretout pësoi një dëmtim muskulor mbrëmjen e të mërkurës në transfertën ndaj Fiorentinës dhe la fushën e lojës, ndërsa sot kreu edhe ekzaminimet mjekësore.
Kështu mjekët kanë paralajmëruar trajnerin Paulo Fonseca se do të duhet të bëjë të paktën një muaj pa shërbimet e mesfushorit titullar, që është shndërruar në një nga pikat më të forta të formacionit verdhekuq.
Futbollisti do të humbë dy ndeshje në kampionat dhe dy të tjerat në Ligën e Europës ndaj Shakhtar Donetsk, megjithatë te Roma shpresojnë ta rikuperojnë në ndërprerjen e kampionatit për ta pasur gati në prill.
Ndërkohë drejtuesit e klubit kanë planifikuar të përfitojnë nga rasti për të diskutuar me Veretout dhe menaxherin e tij, për rinovimin e kontratës.
Aktualisht palët janë të lidhura deri në verën e 2024-ës, por te Roma duan t’ia zgjatin bashkëpunimin me një vit tjetër dhe t’i përmirësojnë pagën, në raport me atë që po jep futbollisti në fushë.