Futboll mes ajsbergëve dhe balenave,  zgjat vetëm 7 ditë

Futboll

Futboll mes ajsbergëve dhe balenave,  zgjat vetëm 7 ditë

Më: 5 mars 2021 Në ora: 19:02
Futboll mes ajsbergëve dhe balenave,  zgjat vetëm 7 ditë

Ky duhet të jetë një prej turneve më të çuditshëm të futbollit në botë.

Që prej vitit 1971, futbollistët më të mirë të Grenlandës bëhen bashkë për të luajtur në “Grønlandsbanken Final 6”, një turne që zgjat vetëm një javë (më i shkurtri në botë), i cili luhet në Rrethin Arktik.

Ndeshjet mund të luhen vetëm në një ishull të vjetër vullkanik, ku duken ajsbergët përreth në një distancë shumë të afërt, por edhe balenat që dalin në sipërfaqe për oksigjen. 10% e popullsisë së Grenlandës (5.000 futbollistë), marrin pjesë në këtë ligë, shkruan panoramasport.

Por, për shkak të klimës, fushat me bar sintetik shkaktojnë dëmtime të tmerrshme, përfshirë fraktura të gjymtyrëve.

Grenlanda është një shtet i madh si Gjermania, Franca, Spanja apo Italia, por ndryshe nga këto vende të fiksuara pas futbollit, vetëm 20% e sipërfaqes së Grenlandës është e banueshme, pasi pjesa tjetër është një sipërfaqe akulli.

Ka shumë pak zona me bar natyral dhe për rreth 9 muaj të vitit është e pamundur të luash futboll për shkak se fushat përmbyten nga bora që shkon në trashësi deri në 2 metër.

Dhe për shkak të sfidave të motit, udhëtimi është shpesh shumë i vështirë, edhe në verë, kështu që organizimi i ndeshjeve bëhet një mision i pamundur.

Por, kjo nuk i pengon banorët e territorit autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës, që të shijojnë pasionin e tyre. Futbolli është ende sporti më popullor aty, por Grenlanda nuk është ende pjesë e FIFA-s (ka aplikuar këtë vit) dhe Federata Daneze e Futbollit po ndihmon për ndërtimin e sa më shumë fushave me bar sintetik. “Ne kemi një marrëveshje për të zhvilluar futbollin në Grenlandë, – tha presidenti i Federatës Daneze, Xhesper Moller.

– Plani ynë është të ndërtojmë gjashtë fusha me sipërfaqe normale futbolli me bar sintetik deri në fund të vitit 2021, ndërsa aktualisht ka 11-12. Ka qenë një sukses i madh. Është një udhëtim i gjatë, por ne e kemi nisur. E ardhmja e futbollit të Grenlandës pritet të jetë e ndritur”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat