Rekord golash dhe ndeshjesh

Futboll

Rekord golash dhe ndeshjesh

Më: 17 mars 2021 Në ora: 11:36
Rekord golash dhe ndeshjesh

Nëse ka një arsye pse Barcelona është ende në garë për titullin kampion është… Lionel Mesi. Kundër Hueskës, argjentinasi jo vetëm arriti rekordin e Ksavi Hernandezit si lojtari me më shumë ndeshje me fanellën e Barcelonës (767), por e festoi diçka të tillë duke shënuar 2 gola dhe një asist.

Golat e tij shërbyen për të hapur dhe për të mbyllur ndeshjen. Ishte mbrëmja e Lionel Mesit, i cili në minutën e 13-të shënon një gol spektakolar me këmbën e majtë duke e dërguar topin në trekëndësh. Por, edhe në minutën e 90-të përfiton nga një top i devijuar nga mbrojtësi për ta çuar në rrjetë.

“Duke prekur qiellin” ishte banderola e madhe e vendosur në shkallët e stadiumit “Camp Nou” për të nderuar rekordin e Leo Mesit, ku ai shfaqej në një foto i përqafuar me Ksavin. Bota e futbollit uroi “Pleshtin” për këtë rekord të jashtëzakonshëm, por edhe ai shprehu emocionet në rrjetet sociale.

“Është një nder i madh për mua të arrij kaq ndeshje me fanellën e Barcelonës. Faleminderit të gjithë shokëve që më kanë shoqëruar gjatë këtyre viteve, familjes dhe miqve që kanë qëndruar pranë meje në këtë rrugëtim”, shkroi menjëherë pas ndeshjes kapiteni i Barcelonës në rrjetet sociale.

GOLAT – Por, dopieta e tij kundër Hueskës shërbeu edhe për të arritur një tjetër rekord. Ai ka shënuar 21 gola në këtë sezon me katalanasit dhe arriti në sezonin e 13-të radhazi që gjen rrugën e rrjetës të paktën 20 herë. Diçka të tillë nuk e ka bërë asnjë lojtar tjetër në historinë e La Ligës. Për këtë arsye ai është jashtëtokësor. Sezoni me më shumë gola i Lionel Mesit ishte ai në 2011- 2012, kur në 60 ndeshje arriti të shënonte 73 gola.

Një vit më vonë shënoi 60 herë. Pas një fillimi të vështirë të sezonit pas problemeve që pati me Bartomeun, Leo është më i përfshirë, më entuziast dhe më i motivuar për të fituar trofe. Megjithatë, e ardhmja e tij vazhdon të jetë e paqartë, por Bartomeu do të bëjë gjithçka për ta mbajtur te Barcelona. Fillimisht katalanasit duhet të vazhdojnë me këtë rrugë për të fituar titullin kampion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat