Vllaznia triumfon në klasiken ndaj Tiranës

Futboll

Vllaznia triumfon në klasiken ndaj Tiranës

Më: 23 mars 2021 Në ora: 12:09
Vllaznia triumfon në klasiken ndaj Tiranës

Java e trembëdhjetë e kampionatit të femrave ka zhvilluar katër ndeshjet e para ditën e shtunë, teksa ndeshja Lushnja-Teuta është zhvilluar ditën e djeshme.

Një nga sfidat më emocionuese të javës ishte klasikja Tirana-Vllaznia, e luajtur në kryeqytet, ku shkodranet triumfuan me rezultatin 0-4. Një pjesë e parë e vështirë për të dyja skuadrat, me Vllazninë që kaloi në avantazh në minutën e 16-të të takimit, me një gol të shënuar nga Esmeralda Franja.

Kryeqytetaset patën disa raste, por nuk mundën të barazonin dhe pjesa e parë mbyllet në favor të Vllaznisë. Me nisjen e fraksionit të dytë të lojës, shkodranet tentojnë disa herë në portën e Tiranës dhe arrijnë të gjejnë golin e dytë me Lucije Gjininin, e cila shënon në minutën e 61-të të takimit.

Sërish në të 89-n është Gjini ajo që trefishon rezultatin për shkodranet dhe realizon golin e dytë personal. Në minutat shtesë të takimit, është Megi Doçi ajo që mendon të shënojë golin e katërt në portën e kryeqytetaseve, të cilat nuk ia dalin kështu të fitojnë kundër kampioneve në fuqi.

Një tjetër sfidë delikate dhe mjaft e bukur është zhvilluar në Shkodër, ku Juban Danja priti të kuqet e Partizanit. Skuadra e Partizanit kaloi në avantazh gjatë pjesës së parë më Begallon në minutën e 31-të të takimit, duke befasuar shkodranet. Një pjesë e parë mjaft e mirë nga të dyja skuadrat, që u mbyll në favor të mikeve. Pjesa e dytë foli për Juban Danjën. Cerkini barazoi shifrat në minutën e 57-të ndërsa Caka u kujdes që të kalonte në avantazh shkodranet në minutën e 76-të të ndeshjes. 2-1 mbyllet kjo ndeshje në Shkodër, në favor të vendaseve të Juban Danjës.

Apolonia fitoi me rezultat të thellë në Fier në ndeshjen kundër Bilisht Sportit, duke shënuar 18 herë në portën e mikeve. Sfida u hap nga Kastrati në minutën e parë, e cila shënoi për fieraket edhe dy gola të tjerë gjatë takimit. Armoku shënoi katër herë gjatë takimit, ndërsa Amoniku, Mema, Gjata, Berisha dhe Danaj shënuan nga dy herë respektivisht në portën e Bilisht Sport, ndërsa shënoi edhe Ferhati. Apolonia vazhdon kështu të ndjekë Vllazninë, e cila është pesë pikë përpara.

Me rezultat të thellë ka fituar në kryeqytet edhe Tirana AS në sfidën kundër shkodraneve të AAS, duke triumfuar me shifrat 10-0. Mema kaloi në avantazh kryeqytetaset që në minutën e parë të takimit. Në minutën e 25-të shënon golin e dytë për Tirana AS Goufran, e cila shënon sërish për vendaset në minutën e 42-të. Monkam dhe Koldashi mbajnë vulën e dy golave secila për skuadrën e Tirana AS, teksa nga një gol shënuan edhe Coka, Banushi dhe Troka. Kjo është fitorja e dytë në radhë e kryeqytetaseve në këtë fazë të dytë të kampionatit.

Në Lushnje, vendaset pritën ekipin durrsak të Teutës. 0-5 përfundoi kjo ndeshje në favor të bregdetareve, të cilat kaluan në avantazh që në minutën e parë me Delilaj. Pjesa e parë mbyllet me këtë rezultat, paçka se rastet për të dyja ekipet ishin të shumta. Në fraksionin e dytë, durrsaket shpërthejnë dhe shënojnë edhe 4 gola të tjerë, me Malaj që shënon një dy golësh në minutat 55-të dhe 58-të, ndërsa shënojnë edhe Habili në minutën e 74-të dhe Kallabaqi në fundin e ndeshjes.

Kështu, Teuta merr tre pikë mjaft të vlefshmë në transfertën e Lushnjes, ndërsa këto të fundit vijojnë të renditen në vendin e parafundit.

Ndeshja mes Kinostudios dhe Skëndërbeut, e planifikuar të luhej ditën e djeshme (22 mars 2021) do të luhet ditën e enjte (25 mars 2021) si pasojë e kushteve të këqija atmosferike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat