Shkëndija në Tetovë përballet me Akademia Pandev

Futboll

Shkëndija në Tetovë përballet me Akademia Pandev

Më: 14 prill 2021 Në ora: 12:04
Shkëndija në Tetovë përballet me Akademia Pandev

Vetëm tre ditë pas duelit me Renovën (fitore 3:0), Shkëndija nga Tetova kanë detyrë të re në kampionat kur përballen me Akademia Pandevin në kuadër të xhiros së 27-të në Ligën e Parë të futbollit në Maqedoninë e Veriut.

Skuadra po jeton moment pozitiv kur ka fituar pikë maksimale (12) në katër përballjet e fundit kampionale (Pelisteri 1:0, Vardari 1:6, Sileksi 2:1 dhe Renova 0:3) dhe të mërkurën kërkojmë vazhdimësi për të ruajtur ecurinë pozitive dhe distancën në krye të renditjes.

Të hënën skuadra kishte rikuperim, ndërsa vetëm të martën kemi mundur të punojmë me fokusin e kthyer kah dueli i ditës së sotme me Akademia Pandevin.   

Kamer Qaka që mungoi kundër Renovës shkaku i një dëmtimi të natyrës më të lehtë kthehet në kombinim për lojë, ndërsa përfundimisht i gatshëm është mbrojtësi Jan Krivak që pritet të fillojë nga minuta e parë, për herë të parë pas 16-të dhjetorit të vitit të shkuar.

Mevlan Murati do të jetë mungesa e vetme e kuqezinjëve, pasi mbrojtësi i djathtë të dielën kundër Renovës kompletoi 5 kartona të verdhë dhe automatikisht pezullohet për takimin me Akademia Pandevin.

Kundërshtari

Finaliste e Kupës por me brenga serioze për mbijetesë. Kjo është skuadra e Akademia Pandevit që në Tetovë vjen pas humbjes me Shkupin në fundjavë, pasi paraprakisht kishin lidhur tre fitore të njëpasnjëshme për tu larguar nga pozitat e fundit. Akademia Pandev bashkë me Bellasicën kanë sulmin më të dobët në këtë sezon, kur kanë shënuar vetëm 20 gola në 26 ndeshje, ndërsa kuqezinjëve u kanë takuar dy përballjet paraprake të kësaj kampanje (2:1 në Tetovë dhe 0:1 në Strumicë).

Për momentin Akademia P. mban pozitën e 8-të në renditje me 31 pikë të tubuara pas një efekti prej 9 fitoreve, 4 barazimeve dhe 13-të disfatave në 26 ndeshje. Mesjavën e shkuar fituan 3:1 në Shkup, Makedonija Gj.P. duke siguruar kualifikim në finalen e Kupës ku përballë Sileksit do të diskutojnë trofeun dhe një vend në kupat e Europës.  

Dueli Shkëndija-Akademia Pandev është në program të mërkurën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 13:00, tashmë dihet se shkaku i masave për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 ndeshjet luhen pa praninë e publikut, ndërsa për gjithë ndjekësit takimi do të transmetohet drejtëpërsëdrejti në kanalin zyrtarë Shkëndija Channel në YouTube.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat