Mburret me Romën

Futboll

Mburret me Romën

Më: 16 prill 2021 Në ora: 11:20
Paulo Fonseca

Roma ia doli të sigurojë kalimin për në gjysmëfinalet e Europa Leagues, pasi eliminoi holandezët e Ajaxit, ndërsa tani ka mbetur e vetmja skuadër që mban lart flamurin italian në Europë.

Verdhekuqtë do të përballen me Manchester United për një vend në finale, ndërsa trajneri Paulo Fonseca u shfaq mjaft i lumtur me paraqitjen e bërë ndaj Ajaxit dhe me arritjen e skuadrës deri në gjysmëfinale.

“Jam shumë i kënaqur me kalimin e turit dhe mbi të gjitha me paraqitjen e skuadrës. E dinim avantazhin që kishim dhe e menaxhuam lojën për të mos shpenzuar shumë energji dhe njëkohësisht për të mos u dhënë mundësi kundërshtarëve të na rrezikonin. Jam krenar për punën që kemi bërë me këta djem”, u shpreh tekniku portugez.

Edin Dzeko u rikthye të shënojë për verdhekuqtë, këtë herë një gol me shumë peshë, pasi vrau shpresat e holandezëve, ndërsa Fonseca foli me superlativa për të dhe për lojtarë të tjera si Cristante e Calafiori.

“Dzekon e shoh shumë të motivuar dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne, pasi jemi në një moment vendimtar të sezonit. Cristante bëri shumë mirë në impostimin e lojës, pasi i ka këto cilësi tashmë, ndërsa edhe Calafiori u pa qartë që ishte mjaft aktiv në krahun e tij”, u shpreh Fonseca.

Ndonëse verdhekuqtë janë në gjysmëfinalet e Europa Leagues dhe po garojnë për një vend në zonën Champions në kampionat, e ardhmja e Fonsecës në pankinë është në dyshim, teksa këtë e pranon edhe vetë portugezi.

“Marrëdhënia ime me drejtuesit e Romës mbetet e njëjtë edhe pas këtij kualifikimi. Nuk e di a do të jem trajner i Romës sezonin e ardhshëm, por ju siguroj që do të jem në pankinë ndeshjen e ardhshme”, deklaroi Fonseca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat