Prezantimi pas “Euro 2020”

Futboll

Prezantimi pas “Euro 2020”

Më: 26 maj 2021 Në ora: 14:47
Prezantimi pas “Euro 2020”

Alaba, sikurse kanë zbuluar mediet në Spanjë, të martën vizitoi Madridin, bashkë me një përfaqësues të “entourage”-it të tij, për të parë për një shtëpi ku do të jetojë vitet e ardhshme.

Ideja që kanë drejtuesit e Realit të Madrid, nëse gjithçka shkon mirë, është ta njoftojnë nënshkrimin me Alaban para fundit të javës. Sido që të jetë, prezantimi zyrtar nuk pritet të ndodhë pa përfunduar “Euro 2020”. Gjithsesi, njoftimi i nënshkrimit me austriakun do të bëhet më herët, për të hequr presionin nga lojtari gjatë turneut europian. Mediet nuk do ta linin të qetë pas çdo ndeshjeje, duke e pyetur për të ardhmen e tij.

Alaba, i cili përfundoi sezonin me Bayernin fundjavën e kaluar, po shijon disa ditë pushim para se të fillojë përgatitjet me Austrinë për Europianin. 26 të thirrurit paraprakisht nga trajneri Franco Foda do të nisin grumbullimin këtë të enjte në Bad Tatzmannsdorf, një qytet i vogël afër kufirit me Republikën Çeke, ku përfaqësuesja austriake do të stërvitet për katër ditë.

Më 2 qershor, Austria do të luajë miqësoren kundër Anglisë, në Middlesbrough, dhe më 6 qershor kundër Sllovakisë, në Vjenë.

Ish-mbrojtësi i Bayernit, i aftë të japë kontribut në disa role, pritet të nënshkruajë kontratë 5-vjeçare me Realin, pra do të jetë i lidhur me “Los Blancos” deri në moshën 33-vjeçare. Ai do të përfitojë 12 milionë euro në sezon, saktësisht të njëjtën pagë që merr Sergio Ramos, e ardhmja e të cilit, për momentin, është larg Madridit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat