Mësohen kundërshtarët e mundshëm të klubeve shqiptare në Europë

Futboll

Mësohen kundërshtarët e mundshëm të klubeve shqiptare në Europë

Më: 29 maj 2021 Në ora: 15:48
Mësohen kundërshtarët e mundshëm të klubeve shqiptare në Europë

Zbulohen rivalët e mundshëm të tri klubeve shqiptare që do të marrin pjesë në Ligën e Konferencës këtë sezon. Kompeticioni më i ri i UEFA-s starton më 8 korrik me turin e parë, aty ku e nisin Partizani, Laçi dhe Vllaznia.

Më 15 qershor do të hidhet shorti në Nion të Zvicrës, ndërsa 68 skuadra që marrin pjesë në këtë tur, janë ndarë në dy vazo në bazë të koeficientit që kanë për pjesëmarrjen e deritanishme në kompeticionet e UEFA-s. 34 klube janë në vazon e favoritëve, ndërsa 34 të tjera në vazon e jofavoritëve, kjo për shkak të koeficientit më të vogël. Partizani dhe Laçi, që në dekadën e fundit kanë marrë pjesë sistematikisht në Ligën e Europës, me të kuqtë që kanë qenë edhe dy herë në Ligën e Kampioneve, janë vendosur në grupin e skuadrave që konsiderohen të avantazhuara.

“Demat” kanë një koeficient 4.250, ndërsa kurbinasit 4.000. Klubet që mund të kenë rivale, në ndryshim nga vitet e kaluara në Ligën e Europës, janë ndër më modestet e kampionateve që janë ndoshta me një nivel më të dobët se Superiorja. Bëhet fjalë për ekipe nga Moldavia, Lituania, Maqedonia e Veriut, Gjeorgjia, Malta, Andorra etj.

Bie në sy fakti se Partizani dhe Laçi mund të “peshkojnë” në këtë tur të parë edhe Llapin e Podujevës, që fitoi Kupën e Kosovës. Gjithashtu, kanë shanse të luajnë edhe me debutuesit e Strugës. I vetmi ekip që ndoshta duhet shmangur në short mund të jetë Inter Turku i Finlandës, për vetë traditën që ka si klub dhe pjesëmarrjen thuajse të përhershme në Kupat e Europë, shkruan panoramasport.

SHKODRANËT – Vllaznia do të rikthehet të luajë në arenën ndërkombëtare pas plot 10 vitesh mungesë. Mungesa e pjesëmarrjes në kompeticionet e UEFA-s ia ka ulur ndjeshëm koeficientin klubit shkodran (1.450). Për herë të fundit kuqeblutë kanë luajtur në Ligën e Europës në periudhën qershorkorrik 2011, kur klubi drejtohej nga Valter Fushaj.

Në turin e parë kaluan maltezët e Birkirkara, ndërsa në të dytën u eliminuan nga zviceranët e Thunit. Duke qenë të vendosur në vazon e ekipeve jofavorite, tashmë shkodranët rrezikojnë të përballen edhe me klube si Maribori (Slloveni) apo Sarajeva (Bosnjë). Gjithsesi, me pak fat në short kanë shansin të luajnë edhe ndaj ekipeve shqiptare si Drita e Gjilanit apo Shkupi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat