Artan Lama: Policia e pushtuesit serb na kërcënonte, duke na thënë se ju po luani për Republikën e Kosovës...

Futboll

Artan Lama: Policia e pushtuesit serb na kërcënonte, duke na thënë se ju po luani për Republikën e Kosovës...

Nga: Kemajl Goca Më: 30 maj 2021 Në ora: 18:21
Artan Lama: Policia e pushtuesit serb na kërcënonte, duke na thënë se ju po luani për Republikën e Kosovës...

Nga Novosella në Raushiq, nga Zllakuçani në Llukar, nga Dushanova në Dumnicë, nga Hogoshti në Malishevë të Gjilanit, Varosh e në Sadovinë të Jerlive, Kçiq i Madh e Smrekovnicë, Drenas e në Miradi, Studençan e Opojë etj. ishin sfida të mëdha për futbollistët e të gjitha skuadrave të Republikës së Kosovës në vitet e 90-ta.

Milicia e pushtuesit serb bënte zullum të paparë, sulmonte çdo gjë shqiptare, shkulte edhe shtyllat e portave të futbollit. 

Një çmenduri e paparë në mes të Evropës, këtë e bënin vetëm bandat dhe milicia e regjimit serb.

Image

Lama me Gjakovën në Raushiq në vitet e 90-ta

Artan Lama i takon Gjeneratës së Republikës, ndër futbollistët me të talentuar. 

Ai në moshën 17-vjeçare, me leje speciale të mjekut e veshi fanellën e skuadrës seniore të Gjakovës, ndërsa pas dy viteve u transferua në skuadrën me renome Vëllaznimi nga Gjakova.

Lama ishte prej mbrojtësve më të mirë, u angazhua maksimalisht dhe asnjëherë nuk e ndali aktivitetin e tij përkundër provokimeve dhe kërcënimeve nga regjimi serb.

Image

Lama me Gjakovën në Novosellë gjatë viteve të 90-ta

“Dihet që ka qenë kohë e vështirë kjo periudhë kohore sepse ne si Vëllaznim, sidomos e kemi pas shume vështirë kur i kishim lojërat jashtë qytetit.

Si për shembull për me shkuar me luajtur në Llukar kundër Prishtinës, ne duheshim t’i kalonim dy postblloqe të rrezikshme, njëri ishte të kthesa e Klinës e i dyti ishte postblloku i famëkeq i Komoranit, aty shpesh kalonim keq, na nxirrnin prej makinave, na kontrollonin, ka pas raste kur na kanë kthyer sepse na kanë kontrolluar edhe ne i kishim fanellat kuq e zi si gjithmonë Vëllaznimi, edhe në ligen e dytë të ish Jugosllavisë i ka veshë fanellat kuq e zi edhe në mes të Beogradit atëkohë kur ka luajt me Cërvena Zvezdën në Marakana për Kupë. 

Image

Lama me Vëllaznimin në Dragodan të Prishtinës në vitet e 90-ta

Ne e kishim të vështirë kur kalonim dhe për atë arsye ne udhëtonim me makina veç e veç qe edhe nëse na kthejnë një makinë, vetëm nëse i dërgonin në bisedë informative, siç i thoshin atëherë ne u kthenim të gjithë, përndryshe shkonim deri ku e kishim ndeshjen për ta zhvilluar” ,- tregon Lama për gazetën kombëtare “Bota sot”. 

Lama kujton edhe kohën kur luanin në fushën në Zllakuçan të Klinës.

”Edhe në Zllakuçan afër Klinës kur shkonim aty luante KF Dukagjini si vendas shpesh kemi kaluar keq ose jemi ndalu e nuk na kanë lënë të shkonim atje, na kthenin prapa, na thoshin ju po luani për Republikën e Kosovës, ajo nuk ekziston.

Image

Ashtu edhe si vendas kur luanim në Novosellë, kur kishim ndeshje me rëndësi si me Prishtinën, me Lirinë, me Besianën, në atë kohë shpesh vinte policia para ndeshjes dhe nuk na lejonte mi zhvillu ndeshjet, i merrnin trajnerët në polici, rrjetat, topat e çka kishim krejt. Edhe aty nuk zhvillohej ndeshja! Shpesh e merrnin trajnerin tonë Genc Hoxhën në bisedë informative”, kujton Lama atëkohë të rëndë.

Stërvitjet

Image

“Edhe kjo është foto e stërvitjeve që i zhvillonim në një oborr të shkollës para luftës, shihen aty edhe trajnerët Fatmir Zhubi, Genc Hoxha, Skënder Muhaxhiri, Ibrahim Domi, viti 1998 kur lufta zhvillohej nëpër fshatra e ne bënim stërvitje e aty afër kalonin plot autoblinda e kamion me ushtarë dhe polic serb dhe na ngritnin tre gishtërinj për të na provokuar”, thotë Lama.

Ai edhe në vitet e pasluftës ka luajtur me sukses, ndërsa nga periudha 2010-2014, ka qenë lojtar i futsallit dhe përshëndet pastaj nga loja aktive. Ish futbollisti është krenar që i takoi gjeneratës së sakrificës dhe i bën rezistencë të fuqishme regjimit serb.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat