​Ramadani: Shpresojmë të mbesim me këmbë në tokë, favorit kryesor është kundërshtari

Futboll

​Ramadani: Shpresojmë të mbesim me këmbë në tokë, favorit kryesor është kundërshtari

Më: 26 qershor 2021 Në ora: 12:59
Zekirija Ramadani

Kampioni i Superligës së Kosovës Prishtina arriti mbrëmë që ta kalojë fazën preliminare të Ligës së Kampionëve, ku në finale e mposhti skuadrën nga Andorra Inter Escaldes me rezultat 2:0.

Ndeshja u zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena” të Shqipërisë, ku me dy golat e mesfushorit 26 vjeçar Endrit Krasniqi, “Plisat” siguruan plasmanin për në fazën eliminatore.

Me rastin e fitores, i kënaqur u shpreh trajneri i Prishtinës Zekirija Ramadani, ku edhe kërkoi nga lojtarët që të mbesin me këmbë në tokë, duke mos u fokusuar në fitore, por në kundërshtarin e radhës.

“Sa i përket ndeshjes së sotme, ishte ndeshje e mirë, kishim një kundërshtarë që të paktën e njihnim, jo si kundërshtari paraprak, por nga fotot që i publikuan u duk se edhe ata kishin pasur ndeshjet tona duke i qasur profesionalisht këtij takimi.

Mendoj që kualiteti u pa qartazi, u pa që si grup jemi shumë më të mirë duke arritur të realizojmë dy gola, arritëm të menaxhojmë rezultatin, posedimin dhe jam shumë i lumtur për këtë fitore për të cilën i uroj futbollistët. Shpresojmë të mbesim me këmbë në tokë dhe të shohim punën”, tha Ramadani.

Ramadani më pas foli edhe për kundërshtarin e radhës në fazën eliminatore, skuadrën hungareze Ferencvarosin, ku edhe i cilësoi si favoritë kryesor në këtë përballje.

“T’i gëzohemi njëherë këtij kalimi, pastaj do të mendojmë edhe për ndeshjen e radhës, e që normal tani favoritë kryesorë është ekipi kundërshtarë, mirëpo për secilin prej nesh është motiv shtesë për ta treguar kualitetin përball Ferencvarosit”, tha trajneri Ramadani.

Më datën 6 korrik, me fillim nga ora 18:00 në stadiumin “Groupama” të Budapestit, Prishtina do të përballet me gjigantin e Hungarisë, Ferencvarosin, ndeshje kjo e vlefshme për fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat