Tafaj: Kemi zgjeruar profilet e kurseve që ofrojmë. Programet të njësuara me UEFA-n

Futboll

Tafaj: Kemi zgjeruar profilet e kurseve që ofrojmë. Programet të njësuara me UEFA-n

Më: 1 korrik 2021 Në ora: 13:01
Tafaj: “Kemi zgjeruar profilet e kurseve që ofrojmë. Programet të njësuara me UEFA-n”

Sektori i Edukimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka mbyllur pak ditë më parë kursin e licencimit për trajnerë të nivelit UEFA A profesioniste, që është niveli i dytë për nga rëndësia, pas shkallës më të lartë, asaj të licencës UEFA Pro. Në këtë kurs morën pjesë 30 trajnerë, të cilët ndoqën për gjashtë muaj kurrikulën e përgatitur nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n.

Viti 2021 ka sjellë disa ndryshime në formatet e kurseve që ofrohen, si në aspektin e profileve ashtu dhe kurrikulës dhe kohëzgjatjes së tyre. Në kuadër të politikave të FSHF për një rritje të qëndrueshme në disa profile që kanë pasur tradicionalisht vështirësi, për shkak se mungojnë programe të tilla në sistemin arsimor vendas, janë krijuar prej dy vitesh tashmë edhe tre departamente të reja për mjekësinë sportive, përgatitjen atletike dhe analizën dhe skautizmin. Këto departamente kanë ofruar dhe ofrojnë kurse të cilat janë përthithur brenda Sektorit të Edukimit në Federatën e Futbollit.

Për të folur ne lidhje me punën e bërë gjatë këtij viti me kurset UEFA, dhe atë më të fundit UEFA A që sapo u përmbyll, për fshf.org ka folur specialist i Sektorit të Edukimit në FSHF, Alban Tafaj. “Këtë vit ne kemi ofruar kurse të reja që ofrohen nga Departamentet e tjera që janë ngritur në FSHF. Realizuam UEFA Football Doctor Education Programme, nën udhëheqjen e doctor Stesinës, një nga emrat më të njohur në Itali në fushën e mjekësisë sportive ku ne si vend kemi deficite të mëdha. Luigi Febbrari gjithashtu ka përmbyllur me sukses kurset e përgatitjes atletike, një hallkë shumë e rëndësishme e stafeve teknike të skuadrave të futbollit. Këtë vit është zhvilluar gjithashtu dhe kursi për analistë futbolli, nga Alarico Rossi – shprehet Tafaj. – Gjatë vitit 2021 kurset kanë filluar nga mesi i muajit janar me kursin për licencën e trajnerit UEFA A që ka përfunduar para pak ditësh, i shtrirë për 6 muaj me radhë në një koncept të ri të UEFA-s pas Konventës së marsit 2020, ku është vendosur se niveli i parë i licencimit të trajnerëve do të jetë UEFA C. Me një kurrikul të ristrukturuar nga UEFA dhe i përshtatur për të gjithë federatat. Një koncept tjetër i ri është shtrirja për 6 muaj i këtij kursi për trajnerët, që dikur zgjaste 7 javë. Një herë në dy vjet ne organizojmë kursin UEFA Pro, teksa këtë vit e nisim më 4 tetor dhe kjo është një shtysë e madhe, sepse është niveli më i lartë i licencimit të një trajneri futbollit, ndryshe quhet nivel master”.

Më tej, Tafaj ka folur për mbështetjen që Federata Shqiptare e Futbollit i jep futbollit të femrave edhe në aspektin e edukimit, kualifikimit dhe licensimit të trajnereve të reja me licenca UEFA B dhe UEFA C, të cilat ofrohen pa pagesë për vajzat e futbollit.

“Kemi vijuar me mbështetjen e futbollit të femrave, që është gjithashtu një prioritet i madh i FSHF-së. Në këto kurse janë afruar mjaft vajza në nivele të ndryshme licencimi, duke filluar nga UEFA C, B, por edhe në kursin e UEFA A ku mori pjesë kapitenia e ekipit tonë Kombëtar, Albina Rrahmani dhe u diplomua. Duke pasur trajnere femra ne jemi edhe më pranë botës së futbollit të femrave. Sipas vendimit të FSHF, nivelet B dhe C të licencave, që përfshijnë nivelin e futbollit amator, janë pa pagesë tashmë dhe kjo është një incentivim apo mbështetje mjaft e madhe për futbollin e femrave, duke rritur ndjeshëm cilësinë dhe nivelin e trajnerëve femra. Ka shumë kërkesa për licencën UEFA A, por është një komision që vlerëson e seleksionon kërkesat dhe më pas harton listën e kursantëve që plotësojnë kritere për të ndjekur këtë kurs”, – thekson Tafaj.

Gjithashtu, specialisti i Sektorit të Edukimit shprehet se kualifikimi i stafeve teknike me licencat përkatëse në çdo hallkë do të ndihmojë më tej zhvillimin e futbollit shqiptar, ndërsa fokusi është vënë edhe te përgatitja e duhur e trajnerëve që punojnë me moshat e vogla. Një hallkë ku edhe kontrolli nga qeveria e futbollit shqiptar do të jetë gjithmonë e më e madhe.

“Kriteret e licencimit, veçanërisht në nivelet A dhe Pro, janë mjaft strikte, qoftë në numrin e pjesëmarrësve që është i përcaktuar. Me zbritjen në nivelin UEFA C të licencimit të trajnerit, UEFA A merr një vlera akoma dhe më të madhe, sepse është një shkallë profesioniste e trajnimit. Krijimi i një stafi me licencat përkatëse në çdo hallkë, pra trajneri i parë, trajneri i dytë, përgatitësi atletik, fizioterapisti apo mjeku sportiv sa më i kualifikuar të jetë, aq më shumë vlera i jep skuadrës apo klubit. Ky është një angazhim i FSHF-së, që çdo fëmijë, jo thjesht ekipet e të rriturve dhe profesionistë, të ketë mundësi të punojë vetëm me trajnerë të licencuar. Ky është një detyrim i Federatës sa i përket të ardhmes së futbollit sidomos te grup-moshat, pasi janë fokusin tonë, ato janë e ardhmja e futbollit shqiptar. Insistojmë vazhdimisht që çdo ekip të ketë staf të licencuar dhe të kualifikuar me programe fikse të ardhura nga UEFA, që zbatohen më pas nga Federata Shqiptare e Futbollit”, – tha në prononcimin e tij për Fshf.org, Alban Tafaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat