Hudson-Odoi pritet të ndryshojë Kombëtaren

Futboll

Hudson-Odoi pritet të ndryshojë Kombëtaren

Më: 15 korrik 2021 Në ora: 11:17
Hudson-Odoi pritet të ndryshojë Kombëtaren

Callum Hudson-Odoi pritet të ndryshojë Kombëtaren që përfaqëson në futboll, nga Anglia në Ghanën, duke shfrytëzuar rregulloren e re të FIFA-s.

Ylli i Chelseat së fundmi kaloi kohë në vendin nga Afrika Perëndimore, nga ku e ka edhe prejardhjen.

Hudson-Odoi pati një takim me presidentin Nana Akufo-Addo ku u diskutua përmirësimi i infrastrukturës së futbollit dhe mundësitë për fëmijët dhe të rinjtë në këtë shtet.

Thuhet se presidenti në mënyrë specifike kërkoi nga Mustapha Ussit, Ministri i Rinisë dhe Sportit, që të mundohet ta bind 20-vjeçarin t’i përfaqësojë ‘Yjet e Zeza’ dhe tentativat duket se kanë qenë të suksesshme.

‘Ghana Sports Online’ raporton se Hudson-Odoi ka marrë vendimin të luajë për Ghanan, derisa arsyeja kryesore e këtij vendimi thuhet të ketë qenë abuzimi racist që përjetuan futbollistët me ngjyrë të Anglisë pas finales së Euro 2020.

Ai ka bërë tri paraqitje për Kombëtaren seniore të Anglisë.

Rregullora e FIFA-s thotë:

”Lojtarët tash mund të ndërrojnë Kombëtare, nëse nuk kanë luajtur më shumë se tri ndeshje (përfshirë miqësoret) me një Kombëtare tjetër, derisa asnjëra prej këtyre ndeshjeve të mos ketë qenë në Kupën e Botës ose kompeticion konfederatash dhe të gjitha këto ndeshje të kenë ndodhur para se futbollisti të mbushte 21-vjeç.”

Ai prapë duhet të presë katër vite nga paraqitja e tij e fundit me Kombëtaren, e cila erdhi pikërisht kundër Kosovës – humbje e ‘Dardanëve’ 4-0 – dhe në nëntor të vitit 2022 ai do të jetë legjitim të paraqitet për herë të parë me Kombëtaren e Ghanas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat