Vila: E kishim përgatitur ndeshjen shumë mirë

Futboll

Vila: E kishim përgatitur ndeshjen shumë mirë

Më: 13 gusht 2021 Në ora: 14:12
Vila: E kishim përgatitur ndeshjen shumë mirë

Emiljano Vila pranon se skuadra e Teutës zhvilloi një ndeshje të mirë ndaj Shamrokut dhe rezultati është i gënjeshtërt me atë që dhanë durrsakët në fushë, ku sipas tij ndeshjen e vendosën episodet.

Pas humbjes 2-0 në “Elbasan Arena” me Shamrok Rovers në prononcimin për mediat, Vila pohoi se nëse Seferi do të kishte shënuar do të ishte një tjetër histori, por gjithsesi kërkon që të shohin përpara, ndonëse objektivi për të kaluar irlandezët nuk u arrit dot.

“E kishim përgatitur ndeshjen shumë mirë, shpërdoruam shumë raste, por futbolli kështu e ka.

Po të kishim shënuar me Seferin në fillim të lojës, gjërat do të merrnin ndryshe. Jam i kënaqur me paraqitjen e ekipit, por çdo gjë mbaroi dhe tani do ta kemi fokusin te Superkupa dhe të vazhdojmë më tej.

Objektivi ynë ishte të kalonim Shamrokun, por ky është futbolli, do të vazhdojmë përpara”, u shpreh fillimisht mesfushori i Teutës. Më tej ai pohoi se goli i ndeshjes së parë nuk ndikoi në sfidën e kthimit dhe ka një falënderim për djemtë rreth asaj që treguan në fushën e lojës.

“Nuk besoj se goli i pësuar në fund në ndeshjen e parë ndikoi, pasi ne zhvilluam sot (dje) një ndeshje shumë të mirë dhe rezultati nuk është ai që kemi dhënë në fushën e lojës. Episodet e vendosën dhe falënderoj gjithë djemtë për kontributin që dhanë dhe tani do të shohim përpara dhe ta lëmë pas këtë ndeshje”, përfundoi prononcimin e tij Emiljano Vila.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat