Chelsea gati të hapë një cikël fitues

Futboll

Chelsea gati të hapë një cikël fitues

Më: 14 gusht 2021 Në ora: 17:33
Chelsea gati të hapë një cikël fitues

Pavarësisht se kush shkruante, kur dhe ku shkruante, Erling Haaland ishte gjithmonë aty, në fillim apo në fund të çdo artikulli dhe lidhej me një transferim te Chelsea këtë verë, ose maksimumi verën e ardhshme, në mënyrë që Kampionët e Europës të mos paguanin shifrën e majme prej 175 milionë eurosh.

Por pas negociatash të tëra, Roman Abramovich kuptoi se Borussia Dortmund nuk dëshironte të privohej nga sulmuesi norvegjez, në të njëjtin sezon merkatoje që humbi edhe anglezin Jadon Sancho dhe menjëherë ndryshoi kurs, duke bërë rikthyer pas 7 vitesh në “Stamford Bridge”, belgun Romelu Lukaku, për të cilin pagoi vetëm 115 milionë euro.

Atëherë drejtuesit e klubit londinez nuk besuan në aftësitë e Lukakut, ashtu si edhe në ato të Kevin De Bruyne, por shpejt kuptuan se kanë gabuar dhe lëvizën menjëherë për të korrigjuar gjithçka me sulmuesin 28-vjeçar, të cilit i dhanë një tjetër mundësi të “pushtojë Londrën”.

Lukaku u transferua te Interi, pas një eksperience te Everton e Manchester United, ku u akuzua se u paraqit edhe mbi peshë, por shpërtheu me zikaltrit, falë një force të jashtëzakonshme dhe tani rikthehet në Londër si kampion e një nga sulmuesit më të mirë në botë, për të kompletuar mozaikun e Tuchel.

Tekniku 47-vjeçar gjerman mori si shpërblim një kontratë deri më 2024-ën, pas triumfit në Ligën e Kampionëve dhe tani është zhvendosur në Londër bashkë me familjen e tij, pasi beson se mund të bëjë gjithmonë e më mirë me Chelsea-n dhe e sheh triumfin europian si nisjen e një cikli të ri.

Nën drejtimin e Tuchel, një organikë shumë-ngjyrëshe dhe e shtrenjtë u rrit vazhdimisht, duke u shndërruar në një ekip të vërtetë, që vështirë se pësonte ndonjë gol dhe u ngjit nga vendi i 9 në të katërtin në kampionat e më pas eliminoi me radhë Atleticon e Realin e Madridit, në ligën e Kampionëve, para se të mposhtte Manchester City-n në finale për të ngritur lart trofeun.

Triumfi në ligën më të rëndësishme europiane për klube, ishte ndoshta vetëm fillimi i një historie suksesi, pasi me emra si Havertz, Chilwell, Werner e Ziyech, në të ardhmen e afërt nuk do të ketë më nevojë për një tjetër fushatë merkatoje të bujshme ashtu si vitin e kaluar.

Ajo që mbetet për Tuchel, është të studiojë si mund të përdorë më së miri yjet gjermanë si Havertz e Werner. Ish fantazisti i Leverkusenit e gjeti veten mjaft mirë pas sulmuesit, bashkë me Mason Mount, teksa edhe ndërveprimi me Werner ishte mjaft i mirë, ndërsa tani formacionit i shtohet edhe Lukaku, një lojtar që ka misionin për të bërë ata që gjermani i pati me pikatore, golat.

Sulmuesit gjerman i duhet gjetur një vend në formacion dhe Tuchel po merr në konsideratë edhe rreshtimin 4-2-4, me një formacion ku Jorginho e Kante mbeten liderët e heshtur, ndërsa Rudiger me shokë në mbrojtje, mund të përforcohen edhe me francezin Kounde.

Por pavarësisht merkatos, mbrojtja e Chelsea-t ka dëshmuar se është shumë solide, ndoshta edhe më solide se ajo e periudhës së artë kur drejtohej nga Jose Mourinho, ndaj misioni i “bluve të Londrës” tani është titulli kampion, aty ku gara do të jetë vërtetë e fortë me skuadra si Manchester City, Manchester United e Liverpool.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat