Dakaj: Ëndrra na është bërë realitet

Futboll

Dakaj: Ëndrra na është bërë realitet

Më: 18 gusht 2021 Në ora: 15:45
Dakaj: Ëndrra na është bërë realitet

Sukseset e sportistëve dhe klubeve shqiptare në Zvicër nuk kanë të ndalur.

Së fundmi është klubi i futbollit FC Iliria nga Solothurni, që po bën historinë në shtetin helvetik. FC Iliria garon në ligën e dytë kantonit të këtij qyteti, por suksesin e madh e ka arritur në kupën e Zvicrës.

Pas triumfit në fushë të vet ndaj FC Escholzmatt-Marbach, duke fituar me rezultat 4-3, FC Iliria në raundin e dytë të kupës së Zvicrës do të përballet me kampionin Young Boys. Ndeshja do të zhvillohet në muajin shtator dhe datat janë 17, 18 ose 19. FC Iliria është edhe fituese e kupës së Solothurnit.

Presidenti i klubit FC Iliria, Rrahim Dakaj, për News-TV rrëfen emocionet e shortit që u hodh para pak ditësh.

“Ëndrra na është bërë realitet. Është ndjenjë e papërshkrueshme të luash me kampionin e Zvicrës, YB. Për klubin tonë do të jetë një festë e vërtetë futbolli. Ende nuk e dimë se kur dhe ku do të zhvillohet kjo ndeshje, na mbetet neve të zgjedhim, por me rëndësi është se ajo ditë do të jetë një spektakël futbolli”, deklaroi Dakaj, duke shtuar se në radhët e FC Iliria ka futbollistë të nacionaliteteve të ndryshme.

Ky është suksesi i tretë më i madh i FC Iliria në kupën e Zvicrës, pas asaj ndeshje të 2016-ës me FC Schafhaussen dhe në vitin 2019-të kundër FC Lausanne Sport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat