Historia e rrallë e sulmuesit meksikan

Futboll

Historia e rrallë e sulmuesit meksikan

Më: 20 gusht 2021 Në ora: 15:07
Historia e rrallë e sulmuesit meksikan

Pjesë e futbollist shqiptar janë bërë futbollistë nga të katër anët e globit. Madje, edhe nga vende pak të dëgjuara.

Pjesë e këtij kontigjeni të huajsh ka qenë edhe meksikani David Izazola, i cili në janar të 2019-ës u prezantua te Kamza. Sulmuesi meksikan la fare pak gjurmë te kamzalinjtë, ku luajti vetëm 17 minuta në Kupë ndaj Vllaznisë dhe pas disa javësh u largua nga Shqipëria për shkak të krizës financiare.

Kamza mbetet skuadra e fundit ku Izazola ka luajtur si futbollist, pasi pas asaj aventure të shkurtër dhe të hidhur, në moshën 26- vjeçare Izazola vari “këpucët në gozhdë” dhe në mars të 2019- ës ai u prezantua në Spanjë te klubi i Salamankës si drejtor marketingu.

Në një intervistë të dhënë për “Bolavip Mexico”, ish-sulmuesi flet për arsyet që e çuan atë në “pensionimin” e parakohshëm dhe aspektin e tij të ri në futboll. Para se të vinte te Kamza, sulmuesi meksikan kishte luajtur në Indi. “Unë shkova në Indi, ku cilësia e jetës ishte e vështirë. Nga ana tjetër, infrastruktura e klubit dhe qytetit nuk u përshtat me atë që unë kërkoja. Ajo që ndikoi më shumë ishte se fëmija im ishte gjashtë muajsh dhe ishte alergjik ndaj qumështit dhe vezëve. Ishte shumë e vështirë të shkoje nga spitali në spital për ta trajtuar atë dhe ishte gjithashtu e vështirë për të deshifruar ushqimin”, u shpreh fillimisht Izazola. Në moshën 26- vjeçare sulmuesi meksikan mendoi të tërhiqej nga futbolli i luajtur.

Ndryshe nga kolegët e tjerë, Davidi nuk u ndie i dëshpëruar duke menduar për një opsion të tillë në një moshë të re. Siguria e së ardhmes së tij u mbështet nga studimet universitare që arritën kulmin në zhvillimin e tij si futbollist. Eksperienca e shkurtër dhe e hidhur me Kamzën në 2019-ën ia mbushi më shumë mendjen Izazolës për të lënë futbollin.

“Në Shqipëri gjeta dy skenarë të komplikuar (njëri prej tyre mungesa e pagesës ndaj skuadrës), kështu që vendosa të largohem nga futbolli. Isha me fat që kisha një agjenci marketingu që e krijova me gruan time kur isha në Pumas, kështu që u përqendrova në këtë pa u ndier keq, sepse kam vendosur të pensionohem me zgjedhjen time”, tregon më tej ish-sulmuesi i Kamzës.

Pak pas largimit nga Kamza si futbollist, Izazola kaloi te Salamanca CF UDS, klub spanjoll i divizionit të dytë, me të cilët kishte luajtur si lojtar në 2018-ën. Te Salamanka i hapën derën për të vënë në praktikë njohuritë e tij në fushën e reklamimit dhe marketingut si drejtor marketingu i klubit.

Me përvojën e fituar dhe të treguar në Salamanka, ai e vendosi veten në orbitën e futbollit meksikan, një situatë që e tërhoqi të kthehej në vend. Projekti i tij i ri është si drejtor i përgjithshëm i “Cihuatlán”, një klub që i përket divizionit të tretë dhe i cili ka vuajtur nga mungesa e profesionalizmit për shtatë vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat