Van Gaal: Holanda duhet ta meritojë Botërorin

Futboll

Van Gaal: Holanda duhet ta meritojë Botërorin

Më: 4 shtator 2021 Në ora: 11:04
Van Gaal: Holanda duhet ta meritojë Botërorin

Holanda do të luajë sot një ndeshje shumë të rëndësishme në eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”. Portokallinjtë do të presin në shtëpi Malin e Zi në orën 20:45 me shpresën se do të dalin vetëm me tri pikë nga ky takim për të qëndruar sa më pranë Turqisë që renditet e para në grup me 1 pikë më shumë.

Trajneri i “portokallinjve”, Luis Van Gal foli për rëndësinë e kësaj ndeshjeje duke u shprehur se skuadra duhet të tregojë se meriton të jetë mes më të mirave të botës.

“Nëse do të kishim marrë tri pikët në Norvegji sot do të ishim të parët, kështu që fitorja sot në shtëpi është një detyrim.

Skuadra është gati për të dhënë maksimumin dhe për t’i dhuruar tifozëve një ndeshje të bukur”, tha Van Gaali. I pyetur për formacionin, trajneri tha se përzgjedhja e lojtarëve bëhet gjithmonë në varësi të kondicionit fizik.

“Bëhet një vlerësim i stafit për formën e gjithsecilit dhe në fund merret një vendim. Të gjithë lojtarët që kam grumbulluar janë të aftë për të luajtur me kombëtaren.

Dumfris? Denzel është një djalosh i ri që ka shumë uri për të luajtur. Ai mund të jetë një opsion për ndeshjen ndaj malazezëve. Gjithsesi, ende nuk kam vendosur për formacionin përfundimtar”.

Van Gal nuk harroi të fliste dhe për skuadrën malazeze e cila ka grumbulluar po aq pikë sa skuadra e tij (7). “Nuk duhet të nënvlerësojmë askënd për asnjë lloj arsye, nëse e bëjmë jemi të vdekur. Mali i zi ka shtatë pikë në katër ndeshje, aq sa edhe ne. Kështu që sfida ndaj tyre është më e rëndësishmja për skuadrën tonë.

Duam të shkojmë në Botëror dhe për ta bërë këtë duhet të tregojmë karakter dhe forcë grupi. Kam një skuadër me lojtarë cilësorë që mund të bëjnë diferencën në çdo kohë.

Gjithsesi, ndeshja duhet nisur me kujdes duke ruajtur përqendrimin nga minuta e parë”, tha Van Gali para sfidës së sotme ndaj malazezëve. Kujtojmë që Holanda ka grumbulluar 2 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje në 4 ndeshjet e luajtur në Grupin G.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat