Shkëmbi: Në derbi luajmë për të fituar

Futboll

Shkëmbi: Në derbi luajmë për të fituar

Më: 30 shtator 2021 Në ora: 16:18
Shkëmbi: Në derbi luajmë për të fituar

Derbi është një ndeshje që krijon nostalgji sidomos për një si Bledi Shkëmbi që në të shkuarën ka qenë futbollist i Partizanit dhe tashmë do i sfidojë të kuqtë si trajner i Dinamos. Pas 1 fitoreje dhe 2 barazimeve në 3 ndeshjet e para, presioni rritet për Dinamon aq më tepër që Shkëmbit i është dashur t’u shpjegojë futbollistëve të huaj që ka në skuadër rëndësinë e kësaj sfide.

“Jemi munduar që ekipi të qetësohet, të mos kemi presion, sikurse jemi munduar t’ua shprehim të huajve rëndësinë e derbit. Të tjerët e ndjejnë, pasi e njohin derbin. Është një ndeshje e veçantë deri në këto momente”.

Edhe kjo sfidë do të luhet në Elbasan Arena, edhe pse Shkëmbi për tifozët do të preferonte që takim të luhej në kryeqytet.

“Do ishte më mirë të luhej në Tiranë, por edhe Elbasani ka fushë ku mund të shprehesh mirë në aspektin teknik. Keqardhje mund të ketë vetëm për tifozerinë. Jemi të kënaqur që po na ndjekin. Ata do kthehen sërish, prej rezultateve tona në vazhdim”.

Por a do të jetë derbi ndaj Partizanit prova e së vërtetës për Dinamon?

“Dinamo është ribërë dhe kemi guxuar, duke luajtur për të fituar. Analizat bëhen pas ndeshjeve, ne e dimë çfarë ndodh.

Nuk e bëjnë dot të tjerët më mirë analizën. Kemi marrë dy barazime, por mund të merrnim diçka më shumë. Jemi të kënaqur. Do mundohemi të fitojmë, pa harruar se luajmë ndaj një ekipi të fortë si Partizani. Janë dy ekipe të denja për ta fituar ndeshjen. Për Dinamon do jetë çdo ndeshje barometër, deri kur të vijë ajo që duam. Jemi në rrugë të mbarë dhe jam i bindur që e ardhmja e Dinamos do të jetë e mire”.

Shkëmbi analizoi edhe kundërshtarin duke vlerësuar maksimalisht Partizanin e Ilir Dajës.

"Partizani është rival i fortë, luajnë me ritëm në të dyja fazat. Nuk ka një ekip që bën diferencën. Do jetë kampionati i vetëm që javë pas jave nuk do mundësh të marrësh frymë lehtësisht, pasi do jetë e vështirë çdo ndeshje. Formacioni? Do shikojmë stërvitjen për të vendosur për formacionin. Kemi dy lojtarë me probleme fizike dhe më pas do të vendosim si do të rreshtohem”.

Bashkë me Shkëmbin në konferencën për shtyp në vigjilie të derbit ishte i pranishëm edhe mbrojtësi nga Maqedonia e Veriut Goran Siljanovski i cili theksoi se Partizani ka një skuadër të fortë dhe se futbollistët e Dinamos duhet të japin 100% e tyre për të fituar pasi një ndeshje e një rëndësie të tillë siç është derbi mund të vendoset edhe nga një episod i vetëm siç mund të jetë një goditje standarte apo një këndore, pra për Siljanovskin përqëndrimi duhet të jetë maksimal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat