Challandes: Me Suedinë e kemi vështirë

Futboll

Challandes: Me Suedinë e kemi vështirë

Më: 8 tetor 2021 Në ora: 19:55
Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur një konferencë

Një ditë para ndeshjes kundër Suedisë, Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur një konferencë ku për media janë paraqitur trajneri Bernard Challandes dhe portieri Arijanet Muric.

Në konferencën për media, trajneri Challandes dhe portieri Muric treguan që Suedia është një kombëtare shumë e fortë, por pavarësisht kësaj Kosova do të jep maksimumin që të marrë një rezultat pozitiv në këtë ndeshje.

Challandes: Është e qartë që Suedia është një kundërshtar shumë i fortë

“Është e qartë që Suedia është një kundërshtarë shumë i fortë dhe këtë e ka konfirmuar për një kohë të gjatë ndër vite. Kemi pasur parasysh fazën kualifikuese për Kampionatin Botëror ‘Rusia 2018’ kur Suedia ka arritur të eliminojë një kundërshtarë të fortë siç është Italia. Pastaj paraqitjen e tyre shumë të fortë qe e kanë pasur në Kampionatin e fundit Evropian, dhe për kohë shumë të gjatë kanë treguar ndeshje të nivelit shumë të lartë, prandaj presim që të kemi një kundërshtar vërtet shumë të fortë. Është një ekip që luan në mënyrë shumë fizike, është ekip shumë i fortë në aspektin fizik, por po ashtu është një ekip i fortë edhe në aspektin individual të lojtarëve dhe ka futbollistë që mund të bëjnë dallimin në çdo moment, siç janë futbollistët e repartit të tyre sulmues që janë lojtarë me të vërtetë me cilësi të larta dhe mund të bëjnë dallimin brenda një skuadre”, tha Challandes.

Pas Challandes, fjalën morri portieri Muric, i cili tha që në ndeshjen e nesërme të dy kombëtaret do ta kenë shumë të vështirë që të arkëtojnë pikët e plota.

Muric: Mezi presim ta fillojmë ndeshjen, nuk do të jetë e lehtë për asnjërën nga ekipet

“Mezi po presim që të fillojmë një ndeshje siç është kjo e nesërmja. Jemi shumë të lumtur dhe të kënaqur që do të kemi mundësinë për të luajtur në një ndeshje të tillë, pas tri ndeshjeve të shtatorit, ku besoj që kemi bërë paraqitje të mirë, dhe tashmë kemi më shumë vetëbesim, jemi më shumë konfident në mënyrën se si do të lajmërohemi kundër Suedisë nesër dhe mendoj që të dyja ekipet do të kenë rastet që të zhvillojnë një ndeshje të fortë, por po ashtu do të jetë shumë e vështirë për të dyja skuadrat për të marrë tre pikë në përballjen e nesërme, nuk do të jetë e lehtë për asnjërën prej ekipeve”, tha Muric.

Po ashtu, Muric foli edhe për hendikepin e Suedisë nesër, ku nuk do të paraqitet ylli i Milanit Zlatan Ibrahimovic.

Muric: Me apo pa Ibrahimovic, Suedia mbetet skuadër e fortë

“E thash edhe më herët që është një lojë që mezi presim ta luajmë, është një lojë që do të jetë shumë e fortë. Kurse sa i përket Suedisë me apo pa Ibrahimovicin Suedia mbetet skuadër shumë e fortë. Megjithatë ne duhet të shohim mënyrën e lojës, dhe ne do të qasemi ashtu siç luajmë zakonisht. Do të bëjmë lojën tonë dhe në atë formë të provojmë të marrim maksimumin ndaj një kundërshtari të fortë siç është Suedia”, tha Muric.

Pas Muric, për fund fjalën morri përsëri trajneri Challandes, i cili tregoi rëndësinë dhe presionin që e ka ndeshja e nesërme kundër Suedisë.

Challandes: Ndeshja e nesërme do të jetë me presion si për ne edhe për Suedinë

“Janë ndeshje ku gjithnjë ka presion për secilën prej skuadrave dhe mendoj që e tillë do të jetë edhe ndeshja e nesërme ndaj Suedisë. Në këtë stadiumi ka pësuar humbje edhe Spanja që është tregu si më e mirë mbase për nivelin e përafërt të këtij grupi, dhe faktin që presioni është gjithnjë prezent te të gjitha skuadrat dhe kësisoj do të jetë edhe te ekipi ynë siç është në çdo ndeshje tjetër, do të jetë edhe nesër që do të ketë presion për të marrë fitore dhe për të marrë maksimumin qoftë ne qoftë Suedia”, tha Challandes.

Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë nesër ndeshje si mysafirë në stadiumin “Friends Arena” kundër Suedisë, takim ky që është i vlefshëm për fazën kualifikuese të Kampionatit Botëror “Katar 2022”, e ku gjenden edhe kombëtaret e tjera si ajo e Spanjës, Greqisë dhe Gjeorgjisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat