Ronaldo bisedoi me Arsenalin në një restorant

Futboll

Ronaldo bisedoi me Arsenalin në një restorant

Më: 9 nëntor 2021 Në ora: 13:07
Ronaldo bisedoi me Arsenalin në një restorant

Drejtuesit e Arsenalit ishin takuar me Cristiano Ronaldon në një restorant në rrugë dytësore, për të biseduar për mundësinë që t’i bashkohej klubit të tyre, para se të pajtohej për të kaluar në Manchester United.

Sulmuesi portugez iu bashkua Unitedit në gusht të vitit 2003 për herë të parë dhe i shënoi 118 gola në 292 ndeshje gjatë gjashtë vjetëve fillestare në Old Trafford.

Por para se të shkonte për të luajtur për djajtë e kuq, ai ishte takuar me ish-kryetarin dhe ish-shefin e skautëve të Arsenalit David Dein.

Dein është kthyer për të folur për takimin me Ronaldon të hënën.

“Të kthehemi në kohën kur Cristiano ishte 17-vjeçar dhe luante për ekipin U19 të Portugalisë”, tha Dein.

“Atë e vërejti shefi i skautëve tanë. Arsene Wenger tha: ‘A dëshiron të shkosh dhe ta shikosh atë duke luajtur?’ Unë i thashë: ‘Po, natyrisht, do të shkoj’. Shkova me shefin e skautëve tanë dhe më kujtohet loja e ekipit U19 të Portugalisë dhe Ronaldo luajti shumë mirë”, rrëfeu ai.

“Pastaj menaxheri tha: ‘Besojeni apo jo, ai do të takohet me ne për darkë pas lojës’”.

“Ne darkuam në një restorant në rrugë dytësore. Ai ishte djalosh shumë i mirë dhe ma dha fanellën e vet. Ne biseduam pak për paratë dhe menaxheri tha: ‘Do ta mendoj këtë punë sonte’. Pastaj Cristiano tha: ‘Më duhet të ik tani, e kam autobusin tani’. Ai hipi në autobus dhe shkoi në shtëpi”, tregoi ai.

“Të nesërmen, unë po bisedoja me menaxherin tim dhe rreth gjashtë orë më vonë, Manchester Unitedi na nxori nga gara për të. Ky ishte tregimi për Cristiano Ronaldon”, përfundoi Dein.

Ronaldo u largua nga Unitedi më 2009 për Real Madridin dhe pasi bëri karrierë në La Liga dhe në Serie A me Juventusin, ai u kthye në shtëpinë e vet Old Trafford këtë verë në moshën 36-vjeçare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat