Askush si Flamurtari në Kupën e Shqipërisë

Futboll

Askush si Flamurtari në Kupën e Shqipërisë

Më: 17 nëntor 2021 Në ora: 19:11
Askush si Flamurtari në Kupën e Shqipërisë

Sot u mësuan shtatë skuadrat çerekfinaliste të Kupës së Shqipërisë, teksa derbi i nesërm midis Tiranës dhe Dinamos (e enjte, 19:45), me “Blutë” e Shkëmbit që kanë fituar 2-0 ndeshjen e parë, do të përcaktojë edhe ekipin e fundit.

Surpriza e madhe quhet Flamurtari, që eliminoi Kastriotin e Superiores. Kuqezinjtë, një nga ekipet më të lavdishme të futbollit shqiptar, po kalojnë vite të errëta dhe garojnë në Kategorinë e Dytë.

Gjithsesi, sot Flamurtari fitoi 2-4 në transfertë ndaj ekipit krutan (1-1 ndeshja e parë) dhe siguroi një kualifikim fantastik në çerekfinalet e turneut të dytë më të rëndësishëm të futbollit në vend.

Diamanti (2x), Pjeshka dhe Ribaj realizuan golat e një triumfi historik, pasi vlonjatët bëhen e para skuadër e Kategorisë së Dytë në histori që kualifikohet në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë.

Flamurtari do të sfidojë Vllazninë për një biletë në gjysmëfinale, aty ku nuk ka asgjë për të humbur dhe do të tentojë mrekullinë e radhës.

Skuadra bregdetare ndan vendin e parë në grupin B të Kategorisë së Dytë bashkë me Devollin dhe objektivi primar sezonal është rikthimi i menjëhershëm në Kategorinë e Parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat