Ndreu: Nuk dalim pa pikë!

Futboll

Ndreu: Nuk dalim pa pikë!

Më: 20 nëntor 2021 Në ora: 13:11
Ndreu: Nuk dalim pa pikë!

Kastrioti do të luajë sot një transfertë mjaft delikate përballë Vllaznisë. Për këtë ndeshje, stafi teknik e ka kontigjentin që kishte në dispozicion javën e shkuar, ndërsa vijojnë të mungojnë Joan Çela dhe Damir Grgiç, të dy të dëmtuar pikërisht në “Loro Boriçi” kundër Teutës.

Trajneri Ramadan Ndreu, në një prononcim për “Panorama Sport” në prag të ndeshjes në Shkodër, theksoi se ekipin e tij e pret një transfertë e vështirë. Sipas kreut të pankinës, nëse gjërat bëhen mirë në fazën sulmuese, natyrisht që mund të arrihet edhe rezultati pozitiv.

“Vllaznia është një kundërshtar i fortë dhe ndonëse vijmë pas një ndeshjeje në mesjavë, e kemi pasur kohën e mjaftueshme për të bërë atë rikuperimin që është i domosdoshëm. Ndoshta ndonjë lojtarë që është i ri dhe që luajti në Kupë nuk do të jetë, por pjesa dërmuese e skuadrës është në dispozicion.

Ne kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira në të gjitha aspektet.

Ajo që na ka munguar ndoshta ka qenë fati dhe prania para portës, të cilën nuk e kemi pasur shumë efikase.

Prandaj shpresojmë që në ndeshjen me Vllazninë të zhvillojmë po ato lojëra të mira dhe ata që janë afër portës, të jenë më të qetë për të konkluduar. Pra, të bëjmë ata që na ka munguar”, ka thënë fillimisht Ndreu. Për herë të fundit që Kastrioti luajti në Shkodër ka qenë kundër Teutës, teksa doli me pikë nga kjo fushë.

“Këto dy javë na kanë shërbyer shumë dhe shpresoj që me Vllazninë të japim më të mirë dhe të shpërblehemi me pikë. Në përgjithësi skuadrat po fitojnë jashtë fushe dhe po barazojnë brenda, aq më tepër ne që jemi mësuar të luajmë për të tretin vit në migrim. Pothuajse ia kemi marrë dorën kësaj pjese.

Pak rëndësi ka tashmë, qoftë kur luajmë brenda apo jashtë. Fusha e Vllaznisë e ka atë trysninë, pikërisht tifozllëkun, që ndihmon vendësit në njëfarë mase.

Gjithsesi, unë mendoj që do të jetë vlerësimi, lufta dhe angazhimi ynë në fushë që do të bëjë të mos dalim pa pikë nga kjo ndeshje”, ka përfunduar Ndreu. Kujtojmë që Kastrioti vjen në këtë takim pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë kundër Flamurtarit. Megjithatë, Kupa nuk ishte ndonjë objektiv për krutanët, pasi synimi madhor i klubit është që të sigurojë sa më parë mbijetesën në elitë, aq më tepër që ky sezon konsiderohet më i vështirë sesa ai i fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat