Pele flet për shëndetin e tij, merr përkrahje nga Ronaldo

Futboll

Pele flet për shëndetin e tij, merr përkrahje nga Ronaldo

Më: 10 dhjetor 2021 Në ora: 11:23
Pele

Legjenda e futbollit, braziliani Pele ka dhënë detaje mbi situatën shëndetësore të tij, ku kishte lajme pozitive mbi tretmanin kundër tumorit që i është nënshtruar në Sao Paulo.

Në një mesazh drejt ndjekësve të tij në “Instagram”, 81 vjeçari tregoi se është në rrugë të mirë drejt rikuperimit, ku edhe u paraqit me një buzëqeshje në fytyrën e tij.

Tre herë fituesit të Kupës së Botës iu nevojit një operim për ta larguar zorrën e trashë në shtator, dhe që nga atëherë ka vazhduar me kemoterapi si pjesë e procesit të rehabilitimit.

Spitali “Albert Einstein” e kishte konfirmuar të mërkurën që Pele është shtruar përsëri në spital, duke treguar se gjendja e tij është stabile dhe se do të rikthehet në shtëpi brenda disa ditësh.

“Shokë, që nga 30 shtatori, kur edhe u largova nga spitali, e dini që jam duke kaluar në një kemoterapi të vogël si pjesë e rehabilitimit tim. Sot, unë jam në ‘Albert Einstein’ duke përfunduar terapinë time të fundit për vitin 2021. Dua që ta ndajë me ju këtë arritje. Në fund të fundit, çdo fitore e vogël është një arsye për të festuar”, shkruante Pele në “Instagram”.

“Do ta shfrytëzoj këtë rast që të bëjë disa teste të reja, kështu që do të qëndrojë këtu edhe disa ditë. Mos u brengosni, jam vetëm duke u bërë gati për periudhën e festave të fundvitit”, shkruante më tej Pele.

Në postimin e Peles ka komentuar ylli portugez dhe i Manchester United Cristiano Ronaldo, i cili i dëshiroi legjendës braziliane forcë dhe shërim të shpejtë.

“Të dëshiroj forcë miku im”, ishte komenti i Ronaldos për Pelen.

Pele iu nënshtrua një operimi në prostatë në vitin 2015 pasi u shtrua në spital dy herë brenda gjashtë muajve, dhe u shtrua përsëri në spital për një infeksion urinar në vitin 2019.

Ish-sulmuesi i Santos dhe New Yorl Cosmos është lojtari i vetëm në histori që ka fituar tre Kupa të Botës, ku e kishte ndihmuar Kombëtaren e Brazilit drejt këtij triumfi në vitet 1958, 1962 dhe 1970.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat