Bajrami: Do të luftojmë për Evropë

Futboll

Bajrami: Do të luftojmë për Evropë

Më: 19 dhjetor 2021 Në ora: 13:10
Bajrami: Do të luftojmë për Evropë

Medin Bajrami, mbrojtësi i talentuar i Renovës, për gazetarin Reshat Ibraimi ka dhënë një pasqyrë të sezonit të sapopërfunduar vjeshtor në Ligën e parë të Maqedonisë së Veriut në futboll.

“Gjipspunuesit” nga Xhepcishti i Tetovës në pushim shkuan me 27 pikë (7 fitore, 6 barazime dhe 5 humbje), në pozitën e pestë të tabelës së klasifikimit.

23-vjecari thotë se në përgjithësi është i kënaqur me rezultatin e deritanishëm.

“Mund të them se jemi shumë të kënaqur me fillimin e kampionatiit, në disa ndeshje të fundit të sezonit vjeshtor kemi pasur mundësi që të rrëmbejmë edhe ndonjë pikë më tepër, megjithate në përgjithësi jemi të kënaqur me këtë pjesë të sezonit. Edhe me paraqitjet e mia jam i kënaqur gjatë kësaj pjese të sezonit. Në çdo ndeshje kam dhënë maksimumin, pastaj është e lehtë të luash në atmosferë të mirë që mbretëron në ekipin tonë”, ka thënë Bajrami dhe shton:

“Kemi zhvilluar disa ndeshje shumë të mira sikur fitorja me Shkëndijën dhe Bregallnicën, megjithate edhe në disa ndeshje të tjera ku kemi dominuar gjatë gjithë ndeshjes kemi krijuar raste, por nuk kemi mundur të shënojmë gol”.

Mbrojtja e Renovës renditet në mesin e atyre ekipeve që ka pranuar më së paku gola-16-të.

“Trajneri nga ne gjatë gjithë kohës kërkonte të qëndrojmë fortë dhe në mënyrë kompakte në mbrojtje, pasi atëherë do të jetë edhe më lehtë në sulm. Dhe, ne kemi plotësuar udhëzimet e trajnerit”, tregon Bajrami.

23-vjecari thotë se Renova në sezonin pranveror do të luftojnë për një vend në garat europiane.

“Unë së bashku me bashkëlojtarët dhe stafin teknik do të bëjmë çmos që të luftojmë për të dalur në Evropë, kualitet për diçka të tillë kemi, vetëm duhet besuar deri në fund”.

Duke folur për kualitetin e ligës, Bajrami tha se cilësia është në rritje.

“Mendimi im është se nëse mund të krahasojmë me sezonin e kaluar, ky sezon është më kualitativ, ka lojtar mjaftë kualitativ, dhe mendoj se ende do të rritet. Ndoshta më shumë mund të ishte investuar në infastrukturë, por ashtu sa kam parë edhe kjo po rregullohet dhe përparon, megjithate është normale se duhet edhe pak kohë”, deklaroi ai.

Për në fund, ai foli edhe për një ftesë eventuale nga seleksionuesi Bllagoja Milevski.

“Çdo lojtar dëshiron të marrë ftesë nga reprezentacioni dhe ato janë ëndrrat tona. E imja është që të jap maksimumin në stërvitje dhe në ndeshje e pastaj do të shohim nëse është e mjaftueshme”, përfundoi Medin Bajrami, njëri nga lojtarët më të mirë të Renovës.

Medin Bajrami tani është në pushim te familja e tij në Lubjanë të Sllovenisë. Te Renova do të kthehet me 3 janar të vitit 2022, kur edhe priten të nisin përgatitjet dimërore për pjesën e dytë të kampionatit.

Sezoni pranveror në ligën e parë të Maqedonisë së Veriut fillon me 13 shkurt, ndërsa Renova luan me Bregallnicën në Shtip.

Renditja:
1.Shkupi                            42
2.A.Pandev                       35
3.Shkëndija                      34
4.Bregallnica Shtip          29
5.Renova                          27
6.Makedonija GJP           27
7.Struga Trim Lum          26
8.Rabotnicki                   22
9.Skopje                         20
10.Tikvesh                      15
11.Borec                        12
12.Pelister                      04

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat