Klopp: Nuk vazhdohet kështu

Futboll

Klopp: Nuk vazhdohet kështu

Më: 24 dhjetor 2021 Në ora: 13:12
Klopp: Nuk vazhdohet kështu

Liverpul-Lids dhe Uolves-Uotford janë ndeshjet e radhës që shtyhen në Premier Ligë këtë të diel pas rasteve të shtuara me COVID. Të dyja takimet do të luheshin të dielën në orën 13:30, por u shtynë me kërkesë të Lidsit dhe Uotfordit për shkak të problemeve me numrat e lojtarëve të infektuar. Në këtë mënyrë numri i ndeshjeve të shtyra të Premier Ligës prej COVIDit shkon në 12 vetëm gjatë 10 ditëve të fundit me drejtuesit e kampionatit që refuzojnë të shtyjnë kampionatin gjatë kalendarit të ngjeshur festiv.

Pas kualifikimit të Liverpulit të tij në gjysmëfinalen e Kupës së Ligës të mërkurën, Jyrgen Klop shpërtheu kundër kalendarit dhe faktit që “Reds”-at do të luajnë dy ndeshje gjysmëfinale kundër Arsenalit në vend që të reduktohet në një.

“Po, unë mendoj se do të jetë më mirë me një tek ndeshje, absolutisht. Por sigurisht që ajo që unë them nuk është e rëndësishme. Kështu që nëse ka dy ndeshje për të luajtur, atëherë do të luajmë dy ndeshje. Do të ishte shumë më e dobishme sikur të luanim një”, tha gjermani. Në një tjetër intervistë, ai sulmoi edhe traditën e “Boxing Day”, me skuadrën e tij që do të zbriste në fushë në rast se nuk do të ishte anuluar ndeshja kundër Lidsit të dielën sërish më 28 dhjetor:

“’Boxing Day’ është diçka shumë e bukur, askush nuk do të donte që të anulohej ajo. Por të luash në datë 26 dhe 28 është absolutisht e pamundur. Kjo është një shaka që ata e bëjnë ende, sepse nuk është problem që të luash në datë 26 dhe pastaj në 29. Nëse data 28 dhjetor nuk është një ditë që ka ndeshje, kujt do t’i plasë?

Njerëzit kanë mjaftueshëm gjëra për të bërë gjatë Krishtlindjes dhe Vitit të Ri duke vizituar familjet apo çfarëdo tjetër. Ata mund të thonë se ne paguhemi shumë, por nuk ka lidhje. Sepse ne mund të luanim në datë 26 dhe 29, që është ende shumë afër, por sërish mbetet një alternativë e pranueshme. Por datat 26 dhe 28 nuk është e drejtë. Është me të vërtetë e rrezikshme për futbollistët.

Situata te Çelsi nuk është e mirë. Ndoshta Siti i ka lojtarët për të luajtur dy ndeshje, por skuadrat e tjera nuk e përballojnë dot”. Me sa duket thirrjet e Klopit nuk i ka dëgjuar Premier Liga, por virusi, duke e ndihmuar skuadrën e tij që të pushojë më 26 dhjetor dhe duke menduar vetëm për ndeshjen kundër Lestërit të martën.

Lidsi ka mbyllur qendrën stërvitore pas rasteve të fundit, ku flitet për pesë të infektuar. Edhe ndeshja e tyre e ardhshme kundër Aston Vilës më 28 dhjetor është gjithashtu në dyshim. Klubi njoftoi se lojtarët janë asimptomatikë dhe ka ndihmuar edhe fakti që janë të vaksinuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat