Skriniar tregon muskujt

Futboll

Skriniar tregon muskujt

Më: 11 janar 2022 Në ora: 15:58
Skriniar tregon muskujt

Milan Shkriniar shënoi golin që i dha fitoren Interit ndaj Lacios, një gol i firmosur i gjithi nga mbrojtja, ku asisti i përket Bastonit. Për rastësi apo për fatin e mirë të tij, golat e Shkriniarit rezultojnë gjithmonë vendimtarë, por mbrojtësi përpiqet të ruajë modestinë:

“Është gjithmonë një emocion shumë i bukur të shënosh dhe nuk e di nëse janë vendimtarë apo jo, por ajo që ka rëndësi është që të ndihmojmë skuadrën të fitojë”. 26- vjeçari nuk ka harruar të vlerësojë shokun e tij të repartit, Bastoni, por mbi të gjitha trajnerin Inzagi falë të cilit loja e tyre po kalon në një tjetër nivel.

“Asisti ishte i mikut tim Xheri, siç e quaj unë Alesandron për shkak të gjatësisë së tij që ngjan me gjirafën. E dimë shumë mirë që ka një këmbë të mirë dhe është në gjendje të japë krosime të tilla. Për këtë festova duke rrëshqitur para tij pasi shënova, edhe pse gjatë asaj rrëshqitjeje lëndova gjurin.

Ta qeras me një darkë? Mos e teproni tani. Gjithsesi, na duhet të themi se e gjitha është edhe meritë e trajnerit që na kërkon gjithmonë të jemi të lëvizshëm dhe të tentojmë të gjithë portën.

Mendoj se po i zbatojmë si duhet urdhrat e tij dhe duhet të vazhdojmë kështu, edhe sepse lëvizje të tilla e bëjnë të vështirë për kundërshtarët për të na markuar”, zbuloi Shkriniar mbi raportet në skuadër dhe mbi udhëzimet që marrin nga Inzagi. Pa dyshim që qendërmbrojtësi nuk mundi t’i shmangej pyetjeve mbi finalen e nesërme të Superkupës së Italisë ku si kundërshtar do të kenë Juventusin.

“Nga sot (dje) mendojmë për Superkupën sepse do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Përballë Juventusit është gjithmonë speciale, ka diçka më shumë, si për ne edhe për tifozët. Më vjen keq për dëmtimin e Kiezës, por duhet të mendojmë për vete dhe për të përgatitur sa më mirë ndeshjen. Trofeu është shumë i rëndësishëm dhe duam ta fitojmë”, përfundoi Skriniar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat