Bayern drejt rekordit historik

Futboll

Bayern drejt rekordit historik

Më: 1 shkurt 2022 Në ora: 15:52
Bayern drejt rekordit historik

Bayerni i Mynihut ka shënuar në dy ndeshjet e fundit plot tetë gola. Në fakt, nuk është diçka e re pasi kampionët janë duke zhvilluar një nga sezonet më të mira për sa i përket shënimit të golave.

Një faktor i rëndësishëm për këtë është edhe trajneri Julian Nagelsman i cili është i fiksuar me lojën sulmuese.Pas një lapsusi në ndeshjen ndaj Gladbahut, Bajerni arriti të merrte 6 pikë në dy ndeshjet e fundit.

Sfida ndaj “Dhelprave” kishte pak histori pasi kampionët ishin të justifikuar për shkak të numrit të madh të lojtarëve të infektuar me COVID. Por me rikthimin e Gnabrisë, Komanit dhe Sanesë, skuadra gjermane nisi sërish sulmet ndaj kundërshtarëve. Ndaj Hertës së Berlinit u pa edhe një herë tjetër forca e tyre e vërtetë.

Që Manuel Nojer është një nga lojtarët më të rëndësishëm në skuadër, kjo nuk është diçka e re. Kapiteni gjerman është një siguri jo vetëm në portë, por edhe një lojtar më shumë në mbrojtje.

Në stërvitje trajneri shpeshherë preferon ta aktivizojë Manuelin në mesfushë për ta perfeksionuar në zotërimin e topit dhe në pasimet e tij.

Në fakt, Nagelsman ishte gati të hynte në histori gjatë një ndeshjeje teksa mendoi ta aktivizonte Nojerin si lojtar, por sipas mediave gjermane, kjo nuk u lejua nga drejtuesit të cilët e quajtën të tepërt këtë veprim.

Joshua Kimish, sa shumë është thënë për të. 26-vjeçari është një nga lojtarët më të mirë në rolin e tij. Golat e shumtë që kanë ardhur nga kampionët në këtë sezon kanë qenë edhe meritë e tij. Mjafton të shohësh dy asistet që dha në ndeshjen ndaj Hertës për të kuptuar rëndësinë e tij në skuadër.

65 golat e shënuar nga trupa e Nagelsmanit është numri më i lartë në Bundesligë në 20 javët e luajtura. Kimish regjistron një përqindje prej 91% të pasimeve të sakta në 154 kontakte me topin, e thënë ndryshe, 125 pasime. Një shifër e lartë kjo duke parë që Herta bëri vetëm 153 pasime si skuadër.

Kur Julian Nagelsman erdhi në verën e 2021-shit nga skuadra e Lajpcigut, mori përsipër të ndërtonte një Bajern ndryshe nga ai që kishte lënë Hansi Flik, edhe pse ai i fundit ishte një nga skuadrat më të mira në historinë e klubit.

Por ajo që kishte në mendje Nagelsman ishte mënyra e të luajturit dhe të shënuarit sa më shumë gola.

Edhe pse i kushtëzuar nga shumë dëmtime dhe mungesa prej COVID-it, mund të themi që Nagelsman është duke na servizur një Bajern më të bukur në fushën e lojës. Rekordi për numrin më të madh të golave të shënuar në një sezon është 101.

Me ecurinë aktuale skuadra bavareze është projektuar ta përfundojë sezonin në kuotën e 111 golave, çka do të ishte edhe numri më i madh i golave i shënuar në një sezon. Në 67 ndeshjet e fundit skuadra bavareze ka mundur të shënojë të paktën një gol për çdo 90-minutësh.

Ndeshja e fundit që skuadra gjermane ka përfunduar një takim pa shënuar gol daton në shkurt 2020 kur barazonte me Lajpcigun me rezultatin 0-0.

Ndeshja e ardhshme do të jetë pikërisht ndaj skuadrës së “Red Bull”-it, por këtë herë kampionët duan të vazhdojnë ecurinë pozitive të golave që ka nisur që prej gati dy vitesh pa pushim.

Sulmi atomik i Bajernit nuk pritet të ndalet edhe në fundjavën e ardhshme në “Allianz Arena”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat