FSHF mirëpret programin që rrit kapacitetet

Futboll

FSHF mirëpret programin që rrit kapacitetet

Më: 6 shkurt 2022 Në ora: 11:07
FSHF mirëpret programin që rrit kapacitetet

Është zhvilluar seminari i dytë i programit “Certificate in Football Managment” (UEFA CFM) që këtë edicion zhvillohet nën kujdesin e Federatës Shqiptare të futbollit e që organizohet në bashkëpunim me UEFA Academy dhe Universitetin e Lozanës.

UEFA CFM (Certificate in Football Management) është një program shumë i nevojshëm për këdo që punon në një organizatë futbollistike e që dëshiron të rrisë nivelin e menaxhimit dhe performancës.

Ky certifikim në menaxhim futbolli ofrohet nga UEFA për përfaqësuesit e federatave anëtare si edhe për përfaqësues të futbollit në nivele të ndryshme. Në këtë edicion ka pjesëmarrës nga disa vende të botës si nga Gjermania, Hungaria, Bullgaria, Kroacia, Bullgaria, Azerbajxhani, Kosova si edhe nga FSHF apo klube të ndryshme shqiptare. Udhëheqës të programit janë përfaqësues të UEFA Academy, Universitetit të Lozanës dhe FSHF-së.

Seminari i dytë është zhvilluar përmes platformave online, ndryshe nga i pari që u zhvillua në Shqipëri në prezencë fizike. Në nisje të seminarit Zv.Presidenti i FSHF-së, Edvin Libohova, mbajti një fjalë përshëndetëse, ku vlerësoi organizimin e këtij programi në Shqipëri dhe theksoi përfitimet që ky kualifikim ka në rritjen e aftësive menaxheriale të stafeve të futbollit.

“Si përfaqësues i Federatës Shqiptare të Futbollit më duhet të shpreh kënaqësinë dhe privilegjin për organizimin e këtij edicioni në Shqipëri. Një vlerësim shumë i madh për SFHF që t’i besohet ky program kaq i rëndësishëm mësimor për të gjithë ata që punojnë dhe jetojnë me futbollin çdo ditë në Shqipëri dhe në Europë.

Programi i Certifikimit në Menaxhimin e Futbollit jep aftësi menaxheriale dhe rrit nivelin e stafit tonë si ne federate dhe në klubet shqiptare. Mendoj se është një mundësi unike që u jepet njerëzve të futbollit në Shqipëri që të pajisen me një certifikate shumë të vlefshme siç është ajo e CFM dhe të përfitojnë një kualifikim mjaft të vyer e cilësor, ku janë të përfshirë emra të njohur të botës akademike.

Ne në Federatën Shqiptare të Futbollit jemi shumë të interesuar në kualifikimin e stafit tonë dhe njëkohësisht është detyra jonë të nxisim kualifikimin e profesionistëve që punojnë në klubet shqiptare. Sepse duke pasur një staf më të kualifikuar përfiton së pari futbolli. Vetëm përmes të tilla programeve ne mund të sigurojmë një rritje cilësore në drejtim të formimit të profesionistëve në termat afatgjatë”, – tha ndër të tjera Libohova.

CFM (Certificate in Football Management) synon të zhvillojë njohuritë teorike dhe praktike të një menaxheri, të rrisë performancën e një drejtuesi të lartë dhe ta afrojë atë me praktikat më të mira të futbollit europian. Eksperiencat pozitive të bashkëpunimit të vazhdueshëm me FSHF-në në të gjitha nivelet ka bërë që UEFA t’ia besojë organizimin e këtij trajnimi kaq të rëndësishëm qeverisë shqiptare të futbollit.

Ky program është krijuar nga Akademia UEFA dhe partneri i saj akademik, Shkolla Zvicerane e Administrimit Publik (IDHEAP) e Universitetit të Lozanës, dhe tani u ofrohet federatave anëtare të UEFA-s.

Një besim dhe një përgjegjësi e madhe për FSHF që vlerësohet për rritjen e vazhdueshme që ka pasur vitet e fundit në drejtim të menaxhimit. CFM organizohet në tre seminare direkte me pedagogë në auditor dhe 6 module për kandidatët.

Pas seminarit të parë të zhvilluar në prezencë fizike në nëntor të vitit të kaluar dhe provimeve të para, këto ditë u zhvillua seminari i dytë online ku u diskutua në lidhje me organizimin e futbollit, menaxhimit strategjik dhe operativ, sponsorizimet, marketingu, komunikimi dhe media.

Faza e fundit e këtij programi, që ka vlerën e një masteri, do të zhvillohet më muaj maj-qershor me seminarin dhe provimet finale, duke kulmuar me ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat