​Kepa reagon pasi humbi penalltinë vendimtare ndaj Liverpoolit

Futboll

​Kepa reagon pasi humbi penalltinë vendimtare ndaj Liverpoolit

Më: 28 shkurt 2022 Në ora: 09:43
Kepa Arrizabalaga

Portieri i Chelseat, Kepa Arrizabalaga ka thyer heshtjen e tij pasi humbi penalltinë vendimtare në humbjen e finales së Carabao Cup ndaj Liverpool-it.

Reprezentuesi spanjoll u fut në lojë për të zëvendësuar Edouard Mendyn në minutat e fundit të kohës shtesë në “Wembley” të dielën, në mënyrë që ai të mund të priste penalltitë pasi 120 minutat nuk arritën të nxirrnin një fitues.

20 penalltitë e para përfunduan në rrjetë, duke bërë që portierët e dy skuadrave duhej të zgjidhnin fatin e takimit, me Caoimhin Kelleher që shënoi për Liverpool-in përpara se Kepa të dështonte.

Kepa u ngushëllua nga shokët e skuadrës pasi goditja e tij përfundoi në tribuna por është zotuar të rikthehet më i fortë.

Kepa që mbetet portieri më i shtrenjtë në futbollin botëror, pasi u transferua në “Stamford Bridge” për 71 milionë funte në verën e vitit 2018, ka postuar në rrjetet sociale shkrimin: “Të biesh dhe të ngrihesh”.

“I zhgënjyer pas përpjekjes së madhe gjatë ndeshjes. Ne vazhdojmë të punojmë. Faleminderit familjes Chelsea për mbështetjen tuaj.”, ka shtuar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat