Trembet Reali

Futboll

Trembet Reali

Më: 3 mars 2022 Në ora: 12:18
Ancelotti

Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti, është shfaqur papritur si një nga kandidaturat e mundshme për të marrë drejtimin e Mançester Junajtidit duke nisur nga sezoni i ri.

“Djajtë e kuq” kanë kohë që po mendojnë për një trajner të ri me teknikun aktual Ralf Rangnik, i cili do të lërë detyrën në fund të sezonit. Deri më tani dy emrat për të përfolur në Madrid ishin Erik ten Hag, trajneri aktual i Ajaksit, si dhe Mauricio Poçetino, trajner i Paris SG-së.

Atyre u është shtuar në orët e fundit dhe trajneri aktual i Realit, Karlo Ançeloti, i cili ka një të kaluar në Premier me Çelsin dhe Evertonin. Sipas rrjetit mediatik “ESPN”, Ançeloti ka një marrëdhënie të ngushtë me legjendën e këtij klubi, Sër Aleks Ferguson dhe kjo mund ta bëjë të realizueshëm transferimin e tij në “Old Trafford”.

Sipas burimeve të “ESPN”, Ferguson është një admirues i Poçetinos, por ka rekomanduar që klubi të marrë parasysh Ançelotin nëse ish-trajneri i Totenhemit e përjashton veten nga gara.

Ançeloti shihet si modeli i trajnerit që mund të jetë i suksesshëm gjatë një periudhe të shkurtër për shkak të përvojës së tij të gjerë në Ligën Premier dhe Ligën e Kampioneve, duke pasur gjithashtu një histori të menaxhimit të skuadrave plot me lojtarë të profilit të lartë. Nuk duhet harruar se Reali i Madridit nga ana e vet e sheh me mëdyshje pozicionin e Ançelotit në klub.

E në rast se italiani nuk do të fitonte kampionatin spanjoll, largimi i tij do të ishte i pashmangshëm. Ndërkaq, transferimi i mundshëm i Ançelotit në “Old Trafford” shihet si një mundësi e klubit anglez për të mbajtur në ekip Kristiano Ronaldon.

Portugezi nuk preferohet nga trajneri aktual Ralf Rangnik, por me Ançelotin ai do të qëndronte me kënaqësi. Së bashku kanë fituar “La Decima”-n (Të dhjetën) në Madrid.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat