Tukaj e Maxhalaku: Ëndërr e realizuar, të fitojmë me Armeninë

Futboll

Tukaj e Maxhalaku: Ëndërr e realizuar, të fitojmë me Armeninë

Më: 6 prill 2022 Në ora: 15:29
Tukaj e Maxhalaku: Ëndërr e realizuar, të fitojmë me Armeninë

Armera Tukaj dhe Rexhina Maxhalaku janë dy emrat rishtarë që i bashkohen Kombëtares shqiptare të femrave në përgatitjet për dy sfidat e ardhshme kualifikuese të vlefshme për Kampionati Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”.

Armir Grima ka grumbulluar skuadrën e tij që prej ditës së hënë në Durrës, ku grupi po përgatitet intensivisht për Belgjikën fillimisht, me ndeshjen që do të luhet më 7 prill në “Elbasan Arena” e për Armeninë, sfidë që do të zhvillohet në transfertë më 12 prill. Në kuadër të këtyre dy ndeshjeve, fshf.org ka intervistuar dy të rejat kuqezi, për të cilat, ftesa për të përfaqësuar Shqipërinë A, tashmë është një ëndërr e realizuar.

Tukaj ndihet e kënaqur dhe e lumtur me pritjen e skuadrës dhe që është tashmë pjesë e ekipit, teksa shprehet se nëse do të luajë, do t’i tregojë të gjithëve cilësitë e saj në lojë. Synimi kryesor është fitorja me Armeninë në transfertë.

Ftesa nga Kombëtarja – “Besoj që çdo lojtare që luan futboll, ka si ëndërr të përfaqësojë një ditë Kombëtaren shqiptare. Kjo ëndërr mua mu realizua dhe jam shumë e kënaqur, edhe me grupin e vajzave që më kanë mirëpritur. Edhe pse jam e re, nuk kanë bërë dallime, në krahasim me pjesën tjetër të grupit që ka qenë edhe më parë. Jam shumë e lumtur që jam pjesë e ekipit Kombëtar”.

Ndeshjet ndaj Belgjikës dhe Armenisë – “Edhe nëse nuk do të luaj, të gjitha ne duhet të japim më të mirën tonë në fushë. Nëse unë do të jem pjesë e formacionit, do të mundohem të bëj atë që di të bëj më mirë, të luaj në pozicionin tim, të tregoj cilësitë e mia dhe të fitojmë.

Armenia është sigurisht një ekip që të vë në vështirësi, por me paraqitjen që kanë bërë vajzat këtu, që fituan 5-0, besoj se edhe aty do kemi një rezultat po pozitiv, siç kemi bërë këtu. Objektivat për këto dy ndeshje? – Synimi ynë është fitorja me Armeninë, më pas fokus kemi që të lëmë pas dy Kombëtare të tjera”, – thotë Tukaj.

Rexhina Maxhalaku është një tjetër emër që afrohet te Kombëtarja A, e cila përveç lumturisë që tashmë është pjesë e këtij ekipi, flet edhe për pritjen që i ka bërë stafi dhe grupi kuqezi.

Si e prita ftesën nga Kombëtarja? – Jashtëzakonisht shumë mirë. Është një ëndërr e bërë realitet. Për herë të parë kur mora vesh lajmin e ndava me  babain tim, i cili më ka mbështetur kur kam hedhur hapat e parë në futboll. Pritja nga grupi kuqezi? – Vajzat më pritën shumë mirë, stafi më ka dhënë shumë ngrohtësi dhe është kënaqësi shumë e madhe. Këto janë vajza me emër, me eksperiencë, që kanë vite në futbollin shqiptar si dhe jashtë. Unë pres më të mirën, kam besim te vajzat.

Kundërshtaret e prillit – “Mendoj që Belgjika është një kundërshtar i fortë, por ne do të japim më të mirën tonë. Ndërsa ndaj Armenisë kemi marrë një rezultat pozitiv dhe shpresoj se do të marrim një tjetër rezultat pozitiv. Sigurisht që do të ishte një arritje e madhe dhe këto rezultate do të na ndihmonin për të ardhmen tonë si ekip Kombëtar”, – thekson Maxhalaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat