Çudira në Superioren shqiptare

Futboll

Çudira në Superioren shqiptare

Më: 7 prill 2022 Në ora: 14:28
Çudira në Superioren shqiptare

Humor i hidhur në Korçë. Në një moment kur nëntë ndeshjet e mbetura të kampionatit janë të gjitha finale të rëndësishme për mbijetesën e Skënderbeut në kategorinë e më të mirëve, situatat e krijuara vështirësojnë akoma edhe më shumë problemet e bardhekuqve në sezonin në vijim.

“Estrada” e radhës ka si protagonist Bekim Rexhepin dhe përgjigjen e rezonancës magnetike të kryer tri ditë më parë në Korçë.

Në kohën kur ditën e djeshme duhej të dilte përgjigjja e testeve të kryera pas ndeshjes me Teutën, si për çudi gjithçka është lënë pezull.

Shkaku? Spitalit rajonal ku është zhvilluar rezonanca, i është prishur kompjuteri i leximit të përgjigjeve të rezonancës dhe për pasojë gjithçka ka mbetur pezull.

Rexhepi ende nuk e ka marrë një përgjigje të tillë dhe për pasojë ka munguar edhe në seancën e fundit stërvitore të zhvilluar ditën e djeshme.

Kjo i shtyn më shumë afatet e terapisë së lojtarit që tashmë duhet të kishte nisur, por edhe i problemeve reale, nëse bëhet fjalë për një rupturë të ligamentit të brendshëm apo një shqetësim i zakonshëm që mund të rikuperohet lehtë.

Kjo situatë e krijuar duket se ka detyruar lojtarin që, për të shmangur vonesat e mëtejshme, të kërkojë takim me stafin mjekësor të kombëtares maqedonase.

Pritet që ditët në vijim Rexhepi të udhëtojë drejt Shkupit për të kryer një kontroll atje me mjekun e kombëtares fqinje, me qëllim që të marrë përgjigjen e saktë të shkallës së dëmtimit dhe afateve që mund të qëndrojë jashtë fushe.

Një histori sa komike aq edhe për të ardhur keq, pasi pozicioni në të cilin ndodhen korçarët ka nevojë për të qenë i plotë dhe në dispozicion të trajnerit për të përballuar situatën e krijuar.

MUNGESAT – Veç Rexhepit që e humbet përfundimisht me sa duket ndeshjen e fundjavës kundër Tiranës, bardhekuqtë shpresat e vetme i kanë në një rikuperim “blic” të Vangjelit.

Lojtari ka dhënë sinjale pozitive ditën e djeshme, teksa dukej si drejt rikuperimit teksa zhvillonte seancën e diferencuar.

Asgjë nuk mund të bëhet për katër lojtarët e tjerë që do të jenë mungesa të sigurta për Skënderbeun duke i lënë kështu trajnerit Gega dhimbje koke dhe një ekip të boshatisur në prag të ndeshjes me Tiranën..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat