Tifozët e Juventusit fillojnë të ëndërrojnë

Futboll

Tifozët e Juventusit fillojnë të ëndërrojnë

Më: 15 prill 2022 Në ora: 11:25
Tifozët e Juventusit fillojnë të ëndërrojnë

E ardhmja e Kylian Mbappe prej dy vitesh është një nga temat më të përfolura në shtypin sportiv, duke qenë se francezi i PSG është shndërruar në një objektiv të Real Madrid. Kampioni i Botës me Francën në vitin 2018 e ka pranuar se është i tërhequr nga ideja për të veshur fanellën e Los Blancos, e cila ka qenë një dëshirë e tij prej fëmijërisë.

Megjithatë, në ditët e fundit, 23-vjeçari në disa raste e ka theksuar se ende nuk ka marrë një vendim për të ardhmen pasi edhe PSG po lufton fort që të mos e humbasë lojtarin e saj më të çmuar. Gjithsesi, për ta ngatërruar edhe më shumë të gjithë situatën, ka mjaftuar një postim i orëve të vona në Instagram nga vetë Mbappe.

“Së shpejti Zebra”, shkruan Mbappe me të bardha në një sfond tërësisht të zi, teksa rrjeti shpërtheu duke e lidhur këtë me një transferim të mundshëm në Itali, tek Juventus, që identifikohet me Zebrën. Në fakt, një lëvizje e tillë është përmendur në të kaluarën me “ndrojtje” nga drejtuesit e klubit italian duke qenë të qartë se për Mbappe duhet të shpenzojnë një pasuri për ta transferuar në Torino.

Por, Mbappe sapo i ka “hedhur më shumë benzinë” zërave të merkatos dhe mbetet për të kuptuar në vijim se çfarë ka dashur të nënkuptojë lojtari me “Zebrën” teksa tifozët e Juventus kanë nisur të ëndërrojnë për sulmuesin me 10-tën legjendare të bardhezinjve në shpinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat