VAR-i erdhi si shpresë, por...

Futboll

VAR-i erdhi si shpresë, por...

Më: 20 prill 2022 Në ora: 11:30
VAR-i erdhi si shpresë, por...

Futja e teknologjisë në Kategorinë Superiore në fillim të edicionit të 83-të të Kategorisë Superiore u reklamua si risi, që do ta ndihmonte futbollin plot halle të Shqipërisë.

Realisht të gjithë e mirëpritjen zbatimin e sistemit VAR, pasi aty i kishin shpresat për të gjetur drejtësinë dhe gjithsecili të merrte hakun, mundin dhe moscenimin e investimit sezonal.

Fillimi ishte i mbarë, pasi u dhanë shkëndija për mirë. Por si çdo punë e bërë në përgjithësi në vendin tonë në tri dekadat e fundit, edhe VAR-i po rezulton si punë pa punë.

Zbatimi i projektit në Superiore nuk nisi i plotë, pasi këtë gjë e tregon vetë logjistika dhe infrastruktura. Asnjë stadium në vendin tonë nuk ka të montuar në mënyrë statike dhomën VAR, ku teknologjia deri tani ka funksionuar me studio lëvizëse të montuar në furgonë, si një herë e një kohe ku trupa e cirkut lëvizte me çadër nga një vend në një tjetër për të dhënë shfaqje.

Problemi i dytë është pamjaftueshmëria me studiot lëvizëse, pasi për shkak se nuk janë pesë furgonë të disponueshëm, ndeshjet e javës së Superiores nuk luhen në një ditë, por copëtohen në dy dhe tri ditë.

Duke ditur se po vjen fundi i sezonit dhe në kampionat ka ende verdikte që duhen përcaktuar, si pjesëmarrja në Ligën e Konferencës dhe mbijetesa, me rregullore duhet që të paktën në tre javët e fundit të gjitha ndeshjet të luhen në një ditë.

Natyrshëm lind pyetja: Si mund të ndahen tre furgonë për pesë ndeshje në një kohë? Zgjidhje mbetet vetëm zgjerimi i flotës së furgonëve. Investimi i FSHF-së te VAR-i po rezulton jo i plotë, pasi praktika ka treguar se teknologjia që ne kemi nuk është bashkëkohore, pasi kur luan Kombëtarja marrin VAR nga Greqia.

Pastaj, ajo që lë për të dëshiruar dhe që është kthyer në përtesë dhe ankesë ka të bëjë me interpretimin që u bën rasteve të dyshuara nga VAR-i shqiptar.

Mungesa e transparencës është në shkallën sipërore, pasi edhe kur mundohen të venë ndonjë vijë, jo më kot thuhet se me grafikë që vendosin ata del “offside” një qytet i tërë.

Fillimisht në VAR ishin arbitra cilësorë, me eksperiencë dhe të testuar.

Por me masivizimin e procesit mund te thuhet me plot gojën se VAR-i është përdhosur, pasi jep vendime të pasakta dhe të painterpretuara, si dhe kur ndërhyjnë i plevitosin lojtarët duke i lënë të presin në deri 6 minuta. VAR-i i Superiores është thjesht një histori dhe çmenduri shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat