Një performancë që e projekton argjentinasin...

Futboll

Një performancë që e projekton argjentinasin...

Më: 20 prill 2022 Në ora: 12:54
Një performancë që e projekton argjentinasin...

Quajeni njeriu i derbit! Lautaro Martinez mori vlerësimin e më të mirit në fushë, gjatë Inter-Milanit, duke “folur” me dygolëshin e tij. Argjentinasi e drejtoi derbin milanez të Kupës së Italisë në favor të zikaltërve që në pjesën e parë.

Dy gola, njëri më i bukur se tjetri, duke demonstruar rilindjen mendore të një lojtari protagonist, pas një “agjërimi” shumë të madh për një lojtar me karakteristikat e tij. Viti 2022 filloi me penalltinë e shndërruar në gol në Superkupë dhe pastaj u “zvarrit” deri në “hat-trick” ndaj Salernitana. “Zhbllokimin” e tij e konfirmoi edhe perla e “Anfield”.

Nëse ndaj Spezia ishte i dobishëm për dyfishim e rezultatit, në derbin e mbrëmshëm siguroi finalen e Kupës së Italisë. Lautaro është sërish ‘zjarr’, për informacion pyesni Kalulu dhe mbi të gjitha Tomori, që dolën copë-copë nga përballja me ‘Toro’.

Një performancë që e projekton argjentinasin drejt një skenari të ëndërruar vetëm disa javë më parë: të barazojë 19 golat sezonalë të një viti më parë. Tashmë, synimi i Lautaro duket i fokusuar te 21 golat, rekordi i vitit të parë me Conten në stol (2019-2020), kur Interi u ndal një hap larg fitores në të gjitha kompeticionet (vendi i dytë në ligë, humbje në gjysmëfinale të Kupës së Italisë dhe në finale të Europa League).

Ajri i derbit pothuajse gjithmonë i ka bërë mirë argjentinasit, i cili ka shënuar pesë gola ndaj Milanit. Askush nuk ka shënuar më shumë se ai ndaj kuqezinjve që nga sezoni 2018-2019. Për më tepër, së bashku me Sanchez, ai është i vetmi interist që ka shënuar në katër gara të ndryshme këtë edicion.

Kritikat nuk u kursyen aspak, por tani është koha për të marrë komplimentet dhe për t’u frymëzuar. Vlerësimet pozitive duhet t’i shndërrojë në karburant emocional për finalen e sezonit. Lautaros, sigurisht nuk i mungojnë stimujt, aq më mirë për Interin që vazhdon të ëndërrojë “dopietën” sezonale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat