Pioli: Na kanë mbetur edhe dy hapa

Futboll

Pioli: Na kanë mbetur edhe dy hapa

Më: 8 maj 2022 Në ora: 23:57
Pioli: Na kanë mbetur edhe dy hapa

Stefano Pioli ka ditur të kthejë Milanin përsëri në majë dhe tani është shumë pranë një suksesi në Serinë A që do të ishte historik për mënyrën se si u arrit, jashtë parashikimeve të shumëkujt. Suksesi 3-1 ndaj Veronës e afroi më shumë titullin dhe Pioli ka pranuar se është i dashuruar me skuadrën e tij, e cila ka ditur të reagojë pas vështirësive dhe tani e sheh objektivin shumë afër.

“Sa i dashuruar jam me këtë Milan? Shumë, pasi e di se cili ka qenë rrugëtimi ynë. Një tjetër fitore, na mungon një tjetër dhe ka një kënaqësi të madhe pastaj. Por jemi të përqendruar te ndeshja e radhës.

Kuraja e ekipit vjen nga eksperiencat tona dhe paraqitjet. Edhe nëse je në disavantazh por e ndjen se je mirë në fushë, beson më shumë në cilësitë e tua dhe ke shpirt deri në fund. Kemi kaluar shumë hapa dhe kemi dy të fundit për të kaluar, përgatitim në mënyrën më të mirë ndeshjen e radhës, ajo që ka rëndësi pastaj është përfundimi.

Rotacioni për të dielën? Të shohim, pasi në ndeshjen e parë ndaj Atalantës kemi bërë një nga ndeshjet më të mira të kampionatit, bëhet fjalë për një skuadër të fortë, si individë dhe kolektiv. Të shohim çfarë karakteristikash do të hedhim në fushë për të përballuar këtë kundërshtar.

Leao e Tonali? Të rinj, por të fortë. Pas dy ditësh përgatitje i kam parë shumë të ndryshëm nga viti i kaluar. Ky ambient na jep energji të pabesueshme dhe duhet të vazhdojmë kështu, edhe pse kemi kundërshtarë të vështirë.

Kujt i ngjan Tonali? Kam shumë vështirësi që të krahasoj një lojtar me një tjetër. Në ditën e parë e pyeta se cili ishte pozicioni i tij ideal dhe më tha se ndjehet më shumë si Gatuzo se sa si Pirlo. De Rosi ndoshta i kompleton të dy gjërat.

Dy ndeshjet e fundit do të përcaktojnë renditjen përfundimtare. Ky Milan lindi te ajo 5-0 ndaj Atalantës, atje unë dhe drejtuesit e kuptuam se çfarë duhej bërë për të rritur këtë skuadër. Kemi mësuar shumë dhe shpresojmë ta mbyllim sa më mirë këtë kampionat”, tha Pioli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat