Salih Krasniqi: Njerëzit kanë nostalgji për Çamërli dhe për stadiumin e Llukarit, askush nuk mund ta zhduk historinë!

Futboll

Salih Krasniqi: Njerëzit kanë nostalgji për Çamërli dhe për stadiumin e Llukarit, askush nuk mund ta zhduk historinë!

Nga: Kemajl Goca Më: 3 qershor 2022 Në ora: 12:48
Salih Krasniqi

Vitet e 90-ta, vitet më të rënda për popullin shqiptar të Kosovës! Kosova okupohet nga pushtuesi serb, shqiptarët dëbohen nga puna, studentët nga Universiteti i Prishtinës, sportistët nga stadiumet e objektet sportive etj.

Vite të terrorit! Sporti u organizua ashtu si ka pasur mundësi në fusha, livadhe e salla të improvizuara, edhe aty sportistët të përndjekur, të rrahur, të arrestuar e të burgosur nga regjimi serb!

Image

Nuk harrohet kurrë stadiumi i futbollit në Llukar apo Çamërlia e famshme, që mblidhte me mijëra shikues në ndeshjet e Kampionatit të Kosovës! 

Ndeshjet e kampionatit e të Kupës së Kosovës, u zhvilluan në tokën e Salih Krasniqit! Një burrë që dha shumë në vitet e 90-ta (1991-1999). Një burrë që nuk iu tremb qerpiku i syrit asnjëherë nga agresori serb.

Fusha në Llukar u bë strehë pothuajse një dekadë e klubit me renome Prishtina dhe shumë klubeve tjera!

Salih Krasniqi tokën e tij e lëshoi për fushë të futbollit, për rezistencë ndaj okupatorit serb.

Salih Krasniqi, një personalitet i respektuar ndër shqiptarë e i urryer deri në pikën e fundit nga pushtuesi serb. Ku gjendet tani Salih Krasniqi? 

 “Bota sot”: Si e vlerësoni kohën e viteve 90-ta, kur dihet se toka juaj ka shërbyer si stadium i futbollit, sa ka qenë vështirë e rrezik, a keni pas presion e kërcënime nga pushtuesi serb?

Salih Krasniqi: Normal ata që janë përcaktuar për atë, ata krejt kanë qenë në rregull. Në fillim nuk ka pas probleme, më vonë kanë lind problemet, më vonë janë ndërprerë ndeshjet, kuptohet nga policia serbe. 

Image

Është interesant se në Llukar janë mbajtur gjitha kuvendet e asaj kohe të futbollit, nuk kemi pas ndërprerje asnjëherë. Më vonë kanë ardhur deri të ndërprerja, kanë ardhur policia serbe e kanë intervenuar.

“Bota sot”: A keni pas kërcënime? 

Salih Krasniqi: Normal se po, unë kam qenë i arrestuar në vitin 1998. Kam qenë i arrestuar unë dhe kryetari i klubit. Policia serbe na ka marrë e na kanë çuar në stacionin policor në Dardani, kur na dërguan aty, nuk kemi pas punë me policë por me sigurim shtetëror. Domethënë, sipas tyre e kemi rreziku sigurinë e shtetit.

Aty na mbajtën 8 orë, kemi pas maltretime psikike por fizike jo. Me intervenimin e njerëzve jemi liruar nga aty. Është e vërtetë që kemi qenë shumë të rrezikuar. Ndërkohë na thanë se jemi dënuar me 30 ditë burgim dhe atë për të na dërguar në Dubravë, pas disa ditëve është bombarduar ky burg. Fatmirësisht nuk na dërguan por na liruan! 

“Bota sot”:  A jeni krenar që në tokën tuaj kanë luajtur ekipet e njohura, si Prishtina, Vëllaznimi, Liria, Trepça?

Salih Krasniqi: Në atëkohë nuk kemi menduar asgjë, veç me pas sukses dhe mu organizuar sa më mirë, mos me pas incidente, mos me pas ndonjë gjë që mu ndërpre ndeshja. Si vendas në Llukar kanë luajtur 6 ekipe, Prishtina dhe një kohë të gjatë edhe Llapi ka luajtur aty.

Image

Ajo ka qenë kohë e cila nuk përsëritet kurrë, krenari e madhe, gatishmëri e madhe. Asgjë nuk kem ditur tjetër veç punë. Kryetarët edhe lojtarët kemi qenë në gjendje 24 orë me qëndruar aty veç mos me ndodhë ndonjë gjë e keqe.

“Bota sot”: Ju keni qenë trajner i Shkëndijes së Llukarit!

Salih Krasniqi: Unë trajner, më vonë e kam pru Sahit Kelmendin, pastaj edhe prof. Arsim Fehmiun si këshilltar në klub, edhe ai ka punuar një kohë dhe ka qenë një trio, diçka e jashtëzakonshme.

“Bota sot”: Çka shërben tani fusha në Llukar, simbol i rezistencës në vitet e 90-ta?

Salih Krasniqi: Unë e kam marrë një mirënjohje, kam kërkuar aty vendosur një pllakë kur ka filluar pavarësimi i futbollit. Ma merr mendja, se prej njerëzve të cilët kanë punuar atëkohë, ajo nuk harrohet kurrë, ndërsa njerëz që janë kyqur më vonë mundohen me harruar, me zhduk  por ajo nuk zhduket, se është e dokumentuar.

Njerëzit kanë nostalgji për Çamërli e për stadiumin e Llukarit, me ardhur me luajt aty, ekziston stadiumi, për momentin është i pashfrytëzuar. 

“Bota sot”: Çka iu bën krenar dhe çka iu ka dëshpëruar më së shumti?

Salih Krasniqi: Krenar më bën më së shumti ajo që e kemi ditur për çka po punojmë dhe për çka po rrezikojmë. Ata njerëz që kanë punuar rreth meje dhe të tjerët, rrezikuan dhe kurrë nuk e kemi menduar këtë, ata të cilët janë përcaktuar me punuar, nuk ka pasur rrezik për ta, edhe pse ka qenë rreziku permanent.

Më dëshpëron më së shumti kur ka ardhur koha, ai vend është harruar. Ata njerëz që kanë sakrifikuar shumë, janë harruar! Ky është dëshpërimi më i madh edhe i imi edhe ata që kam pasur rreth vetes sepse nuk harrohen ato sakrifica të kohës më të rëndë në historinë e Kosovës. 

Dëshpërimi tjetër është se janë shkruar libra dhe Llukari nuk përmendet. Ato libra që janë shkruar ato janë fals, krejt janë kundër me realitetin që ka ndodhur aty.

“Bota sot”: Është harruar një histori e lavdishme, një Kampionat i Kosovës që u zhvillu në Llukar?

Salih Krasniqi: Është e paimagjinueshme me pa çka kanë bë njerëzit për interesat personale, këtu nuk ka interes personal, këtu duhet me pas interes kombëtar, aty ka filluar pavarësimi i futbollit të Kosovës, një segment i pavarësimit të sportit të Kosovës.

“Bota sot”: A iu ka kundërshtuar familja në vitet e 90-ta që keni lëshuar tokën në fushë të futbollit, për shkak të rrezikshmërisë së lartë apo e iu ka përkrahur?

Salih Krasniqi: Jo, absolutisht jo, përkrahje po, përkrahje maksimale, ata kanë qenë me ne krejt. E kam pas përkrahjen qind për qind.

“Bota sot”: Ku jeton Salih Krasniqi?

Salih Krasniqi: Jeton edhe në Llukar edhe në Londër. Tërë kohën jam me mendje këtu e me trup atje, kur vij këtu jam më i qetë. Ëndrrën që e kam atje, kur vij hasi këtu në disa pengesa që nuk mundem. Klubi futbollistik Shkëndija mendoj se do të riaktivizohet. Ajo pengesa më e madhe është stadiumi që ka mbetur  as andej e as këndej, me disa njerëz duhet me u marrë vesh si me ia bë.

Porosia ime ndaj FFK-së, le të mendon mirë, atë që e kam shprehur dhe kërkuar para disa viteve, të vendoset një pllakë ku ka filluar historia e futbollit të Kosovës, se nuk ka filluar askund tjetër, por ka filluar në Llukar, në Çamërlin e famshme ku janë luajtur edhe ndeshjet që nuk mund të harrohen as të imagjinohen, sot ku do që luan në stadiume, ndoshta për ndonjë Kupë, po aq shikues nuk bëhen kurrë deri 7- 8 mijë veta si në ato vite në Çamërli!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat