Benitez “skanon” Koulibaly për mediat angleze

Futboll

Benitez “skanon” Koulibaly për mediat angleze

Më: 16 korrik 2022 Në ora: 13:44
Benitez “skanon” Koulibaly për mediat angleze

Sot, “The Athletic” i kushton një analizë të gjatë taktike dhe jo vetëm Kalidou Koulibaly, qendërmbrojtësit të ri të Chelseat. Artikulli raporton gjithashtu një intervistë me Rafa Benitez, trajnerin spanjoll që ishte përgjegjës për kalimin e senegalezit nga Genk te Napoli në vitin 2014.

Mendimi i trajnerit spanjoll është pozitiv për të ardhmen e Koulibaly në Premier League, edhe pse thekson disa boshllëqe që ende duhet t’i përmirësojë senegalezi.

Intervista e “The Atheltic” me Rafa Benitez është e ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë, ish-trajneri i Liverpool-it, fitues i Ligës së Kampionëve të vitit 2005, tregon se si më 2014, Koulibaly u mor nga Genku i Belgjikës dhe u soll te Napoli:

“Në bazën time të të dhënave personale kam pasur një raport të mirë për të nga viti 2011 në turneun ‘Toulon’ të Francës, kur ishte lojtar i ri. Më pas, te Napoli u koordinuam me Riccardo Bigon, drejtorin sportiv në atë kohë, dhe stafin e tij për ta ndjekur e vëzhguar te Genk.

Morëm një raport pozitiv më 2013 dhe një tjetër në 2014, kur e rekrutuam për 7-8 milionë euro. Kam pyetur miqtë dhe kontaktet e mia për informacion dhe të gjithë më thanë se ishte një profesionist i mirë dhe gjithashtu djalë shumë i mirë”.

Pjesa e dytë e ndërhyrjes së Benitez është në fund të analizës së gjatë taktike të “The Athletic” mbi pozicionet mbrojtëse të Koulibaly. Mendimi i spanjollit është se Koulibaly mund të bëjë mirë te Chelsea dhe në Premier League në përgjithësi, por ai ende duhet të rregullojë disa detaje të lojës së tij:

“Koulibaly duhet të përmirësojë përqendrimin e tij, ndonjëherë mund ta humbasë ose të jetë shumë i sigurt me veten. Gjithsesi, ai ishte me të vërtetë themelor te Napoli. Njerëzit që njoh dhe besoj më thanë se ishte qendërmbrojtësi më i mirë në Itali në këtë periudhë.

Sezonin e ri do të debutojë në Premier League dhe mund t’i përshtatet mënyrës se si Tuchel dëshiron të luajë. Ai ka ngjashmëri me Rudiger; është shumë i mirë në vrapimin me topin, luan mirë me të dyja këmbët. Ne do të shohim se çfarë do të ndodhë me të te Chelsea. Siç thashë, në Itali ishte mirë, sepse ai është shumë i shpejtë dhe fizikisht superior. Personalisht dyshoj se do të jetë kaq dominues në Angli.

Aftësia ajrore nuk ishte pika e tij e fortë. Do të jetë interesante të shihet se si do të zhvillohet ai në Premier League. Koulibaly ka qenë gjithmonë shumë i etur për të mësuar dhe ka shpenzuar disa kohë me mua e stafin tim pas stërvitjeve për të punuar në goditjet me kokë dhe për të përmirësuar teknikën”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat