Duro: Laçi tregoi vlera, për kualifikim edhe ndaj Petrocub

Futboll

Duro: Laçi tregoi vlera, për kualifikim edhe ndaj Petrocub

Më: 16 korrik 2022 Në ora: 18:53
Duro: Laçi tregoi vlera, për kualifikim edhe ndaj Petrocub

Laçi zhvilloi një ndeshje shumë të mirë në Podgoricë përballë Iskrës. Goli i kapitenit Mazrekaj i dhuroi bardhezinjve fitoren dhe kualifikimin në raundin e dytë të Conference League.

Skuadra e Shpëtim Duros do të sfidojë moldavët e Petrocub në këtë tur, me sfidën e parë që do të luhet të enjten (21 korrik) në transfertë. Takimi i kthimit do të zhvillohet një javë më vonë (28 korrik) në Shqipëri.

Nënkampionët e Shqipërisë vazhdojnë të konfirmohen një kockë e fortë në duelet europiane. Trajneri Shpëtim Duro preku disa tema në prononcimin për SuperSport, duke u nisur me dy duelet ndaj malazezëve, sfidat me Petrocub dhe nevojën për një mesfushor përpara mbrojtjes, repart ku Laçi ka pësuar ndryshime të shumta.

“Ne jemi të lumtur, sepse u kualifikuam vetë, kjo ka rëndësi. Ishte me rëndësi, pasi vinim nga një barazim në fushën tonë, por ja dolëm me mjaft personalitet dhe grintë në Podgoricë. Nuk ishte një ndeshje e lehtë, por e kaluam me sukses.

Iskra? Skuadra, në të dyja takimet, ka treguar vlera. Edhe në ndeshjen e parë, pavarësisht rezultatit, skuadra jonë dominoi përballë një rivali që ishte me të gjithë forcat pas.

Në ndeshjen e dytë ndryshuam pak formacionin, vendosjen dhe mënyrën e lojës, duke u mbrojtur mirë në mesin e fushës dhe duke shfrytëzuar vertikalizimet me Mazrekajn, Adeleke dhe Guindon. Shënuam dhe kishim mundësi të mbyllnim ndeshjen, por rëndësi kishte kualifikimi, që ishte i merituar.

Petrocub? Duhet të jemi me këmbë në tokë. Kalimi i turit është sukses për të gjithë klubet shqiptare, moralisht dhe financiarisht. Jemi më të qetë, por do tentojmë kualifikimin ndaj Petrocub, patjetër. Nuk kemi shumë informacion, por them se është një kundërshtar në nivelin tonë. Shanset janë për t’u kualifikuar.

Tirana-Partizani? Partizani nuk e interpretoi siç duhet ndeshjen e dytë, më vjen keq që nuk kaluam, pasi do rritej koeficienti i skuadrave shqiptare në Europë.

Merkato? U larguan Lushkja, Shehu, Deliu, të cilët ishin fizionomia e Laçit për shumë vite. Kemi mesfushorë të mirë si Ujka e Spahiu, kemi marrë edhe disa lojtarë të mirë në Kategorinë e Parë.

Na mungon vetëm një futbollist në pozicionin e numrit 6, ku luante Shehu. Nuk kemi arritur ta afrojmë, na prishi punë edhe dëmtimi i Qatos, ishte i vetmi lojtar që luan si numër 6. Ai post është bosh, por jemi munduar ta mbulojmë me Ujkën”, përfundoi trajneri i ekipit kurbinas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat