Napoli gjen pasuesin e Koulibaly

Futboll

Napoli gjen pasuesin e Koulibaly

Më: 22 korrik 2022 Në ora: 12:36
Napoli gjen pasuesin e Koulibaly

Kim Min-Jae do të jetë pasuesi i Kalidou Koulibaly te Napoli. Mbrojtësi koreano-jugor është pjesë e Fenebahces, por duket se palët kanë gjetur tashmë marrëveshjen për të kompletuar transferimin brenda kësaj fundjave.

Napoli ka pranuar të paguajë 20 milionë eurot e parashikuara në klauzolën e mbrojtësit 25-vjeçar, duke mposhtur kështu konkurrencën e Rennes, teksa futbollisti pritet të firmosë një kontratë 5-vjeçare me pagë prej 2.5 milionë eurosh në sezon.

Çështja e vetme që po diskutohet, është ajo e klauzolës së kontratës, pasi mbrojtësi kërkon të parashikojë një largim të mundshëm nga napolitanët për një shifër prej 40-45 milionë eurosh, gjë të cilën De Laurentiis nuk e ka miratuar ende.

“Kemi arritur një marrëveshje. Nëse gjërat do të shkojnë ashtu si i kemi planifikuar, në fundjavë do të jemi në Napoli për të firmosur kontratën”, deklaroi agjenti i Kim Min-Jae për mediat italiane.

Mbrojtësi koreano-jugor do të formojë dyshen e qendrës me Amir Rrahmanin, ndërsa rezerva do të jenë Ostigard dhe Juan Jesus, megjithatë mbetet për t’u parë sa do të jetë në gjendje Kim Min-Jae të mbushë boshllëkun e lënë nga Koulibaly.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat