Rivalët e Vllaznisë dhe Dritës forcojnë prapavijën

Futboll

Rivalët e Vllaznisë dhe Dritës forcojnë prapavijën

Më: 23 korrik 2022 Në ora: 15:54
Rivalët e Vllaznisë dhe Dritës forcojnë prapavijën

Vllaznia dhe Drita zhvilluan ndeshje pozitive në ruandin e dytë të Conference League, sidomos skuadra dardane. Kuqeblutë e Josës frenuan në një barazim 1-1 Universitatea Craiova në një “Loro Boriçi” të zjarrtë, duke siguruar një rezultat që jep moral dhe besim për një tjetër sfidë të madhe në Rumani, dhe pse jo kalimin në turin e tretë.

Ndërkohë, Drita vijon të tregojë forcën e saj në kompeticionet europiane. Gjilanasit e Nuhiut befasuan belgët e Royal Antwerp në një barazim të bardhë në tokën belge në takimin e parë. Dy kundërshtarët e ekipeve shqiptare janë përforcuar përpara sfidave të kthimit, që do të luhen të enjten e 28 korrikut.

Universitatea Craiova ka firmosur për dy vite me Kyriakos Papadopoulos, qendërmbrojtësin e njohur, i cili numëron 35 ndeshje dhe 4 gola me kombëtaren greke. 30-vjeçari ishte pjesë e Atromitos në sezonin e fundit, teksa ka luajtur më parë me skuadra si Leverkusen, Schalke 04, Leipzig, Hamburger dhe Olympiacos.

Gjatë kohës që luante në Bundesliga, Papadopoulos u kërkua nga klube si Milani dhe Liverpooli. Ndërkohë, Royal Antwerp ka përforcuar mbrojtjen me një futbollist latin, pjesë e Argjentinës U20.

Klubi belg ka firmosur për 5 vite me Gaston Avila, i cili vjen nga Boca Juniors. 20-vjeçari aktivizohet në qendër dhe në krahun e majtë të prapavijës, ndërkohë që kjo është aventura e parë europiane për të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat