FSHF 23 korriku është një datë e rëndësishme për futbollin mbarëkombëtar

Futboll

FSHF 23 korriku është një datë e rëndësishme për futbollin mbarëkombëtar

Më: 23 korrik 2022 Në ora: 16:19
Ademi e Duka

23 korriku është një datë e rëndësishme për futbollin mbarëkombëtar duke parë që shënon ditën e lindjes së legjendës Fadil Vokrri. Me rastin e 62 vjetorit të lindjes së ish-Presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Presidentët Duka dhe Ademi, të shoqëruar nga drejtues të lartë të FFK-s dhe miq të Vokrrit, kanë zhvilluar homazhe te busti përpara stadiumit të Prishtinës, që mban pikërisht emrin e tij.

Në nderim të kontributit të Fadil Vokrrit mbrëmjen e sotme do të zhvillohet dhe një ndeshje miqësore ndërmjet veteranëve të Kosovës dhe Shqipërisë. Pas homazheve të zhvilluara ditën e sotme, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, u shpreh se kontributi i Vokrrit në mëndjen e çdo shqiptari është i paharruar. “Kjo datë ka sjellë në jetë një nga legjendat e futbollit dhe ish-presidentin e FFK-së, Fadil Vokrri. Do të kishim shumë dëshirë që të jetonte më gjatë, por me atë çfarë ka bërë gjatë gjithë jetës së tij dhe kontributin e dhënë për futbollin, ai, nuk do të vdesë kurrë. Nuk do të vdesë jo vetëm në memorien e komunitetit tonë të futbollit, por edhe në memorien e çdo shqiptari, si një njëri që ka kontribuuar në futboll, si një familjar i mirë por edhe në të gjitha këndvështrimet e tij”, theksoi Duka.

Presidenti i FFK, Agim Ademi, nënvizoi në fjalën e tij kontributin që Fadil Vokrri ka dhënë për futbollin e Kosovës.

“Kur e njeh Fadilin jo vetëm si legjendë, por edhe si bashkëpunëtor e si mik, atëherë emocionet janë edhe më të mëdha. Gjithmonë do ta kujtojmë në këtë datë në mënyrën tonë të futbollit. Fadil Vokrri ishte mbret i fushës së blertë dhe jam shumë i lumtur që kam qenë bashkëpunëtor i tij për shumë kohë.

Sot, kjo datë është emocionuese normalisht edhe për familjarët, për kolegët e tij të karrierës, për bashkëpunëtorët e tij në FFK dhe për fansat e futbollit, të cilët deri më sot nuk mund ta zëvendësojnë Fadil Vokrrin, sepse ai i kishte gjërat e veçanta e që janë të paarritshme, pavarësisht se edhe tani kemi futbollistë të jashtëzakonshëm. Sot, Fadili do t’i bënte 62 vjet. Ai jetoj pak por veprat e tij flasin sikur të jetonte 200 vjet. Prandaj, me veprat e tij, ai, gjithmonë do të jetë i pranishëm dhe nuk do të harrohet nga të gjithë shqiptarët”, përfundoi Ademi fjalën e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat